Elbasani u trondit nga dy vrasje brenda 12 orëve të fundit. Pas vrasjes së 23-vjeçarit Regis Runaj mbrëmjen e djeshme, mëngjesin e sotëm është vrarë me sende të forta dhe 40-vjeçari Florian Lamçe. Policia deklaron se Lamçe mbeti i vrarë pas një konflikti me dy persona të tjerë pranë qendrës së këtij qyteti.
Personat e përfshirë në konflikt, dhe që akuzohen për vrasjen e Lamçes, janë Adriano Hajdari, 42 vjeç dhe Sokol Sanxhaktari, 34 vjeç, të cilët aktualisht janë shoqëruar nga policia. Sipas policisë, personat e përfshirë në konflikt ishin në gjendje të dehur.
Por kush është Sokol Sanxhaktari?
Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini është një personazh i njohur për drejtësinë.
Dhëndri i shumëpërfolur i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari është akuzuar se ka kryer një sërë veprash penale, por me sa duket gjithmonë i ka shpëtuar drejtësisë.
Ndërkohë Sanxhaktari njihet edhe si miku i afërt i Sokol Çelës, ky i fundit i akuzuar si i përfshirë në ngjarjen që ndodhi mesnatën e 18 shtatorit kur një automjet i blinduar tip “Audi” A8, goditi makinën e patrullës së policisë, brenda të cilit ishte ish-zv.drejtori i policisë, Gjergji Oshafi.
Po ashtu, mbetur vetëm në “thashethemet” mediatike dhe akuzat politike të opozitës shqiptare, dhëndri i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari dyshohet se është i përfshirë në grupin kriminal të bandës së Çelës.
Edhe viktima e mbrëmjes së shkuar, Florian Lamçe, është një person me të shkuar kriminale.
Ai ka qenë i hetuar për dy plagosje, por në fund ka vuajtur dënimin vetëm për “pengim të zbardhjes së të vërtetës” me 3 vite burg.
Ai njihej me nofkën “Flor Qorri” dhe është akuzuar disa herë nga autoritetet për ngjarje të rënda kriminale.
Florian Lamçe është vëllai i Olti Lamçes, i dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Almir Canit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në shkurt të vitit 2012 ndërsa debati mes Lamçes e Canit kishte nisur për një punë të papaguar nga ana e këtij të fundit, pronar i një diskoje./ABCNews