Kujdes! Këto janë gjithë rregullat që duhet të dini mbi hyrje-daljet në BE

0

Gjermania është e para: Duke filluar nga java e ardhshme, ajo do ta bëjë të detyrueshëm testimin e udhëtarëve që vijnë nga “zonat e rrezikut”. Por qysh tani në BE ka një numër të madh rregullash për hyrje-daljet. Ato janë shumë të larmishme dhe mund të shihen në faqen e internetit të Komisionit të BE-së: reopen.europa.eu.

Çdo vend ka rregullat e veta

Suedia dhe Greqia nuk kanë kufizime për vizitat turistike nga jashtë BE-së. Ata i lënë të gjithë të hyjnë. Letonia kërkon nga udhëtarët që vijnë në Belgjikë që të hyjnë për 14 ditë rresht në karantinë. Belgjika, nga ana e saj, e konsideron Letoninë si zonë rreziku „ngjyrë portokalli“ e për pasojë vizitorëve nga Belgjika u rekomandohet karantinimi, por ai nuk është i detyrueshëm. Ndërsa Belgjika e ndalon rreptësisht hyrjen në të nga disa zona të Portugalisë dhe Spanjës, të cilat konsiderohen si vatra të nxehta të pandemisë.  Lista është e gjatë.  Çdo vend i BE-së ndjek rregullat e veta, ka përkufizimet e veta. Ka disa që kërkojnë plotësimin e një formulari, të tjerë preferojnë një regjistrim online para se të hyjnë në vend. Të tjerë e lejojnë hyrjen kur tregon testin negativ të bërë në vendin e origjinës.

Çfarë është „zonë rreziku“? 

Konfuzionues është edhe fakti se nuk ka një përkufizim të njëjtë në të gjitha vendet e BE-së për ato çfarë konsiderohen „zona rreziku“.  Në Gjermani këto zona i përcakton insituti „Robert Koch“. Në listën me 130 vende të tij, nga vendet anëtare të BE-së, vetëm Luksemburgu konsiderohet si „vend rreziku“, veriu i Spanjës, jo. Pra, pushuesit që kthehen nga Spanja nuk kanë nevojë të bëjnë një test, kush vjen nga Luksemburgu, po. As vizitorët nga Rumania e Bullgaria nuk do të duhet të bëjnë test, ndërkohë që shumë vende të BE-së i kanë futur këto zona te zonat në rrezik.

Organet e BE-së shohin vetëm pak vende rreziku

Agjencia Evropiane për Kontrollin e Epidemive, (ECDC), me seli në Stockholm përpiqet të identifikojë rregullisht zonat në rrezik. Ajo mbledh të dhënat e të gjitha vendet anëtare dhe publikon çdo dit një hartë, të ndarë në rajone, sipas përqindjes së infektimeve të reja. Në hartën e së mërkurës, 29.07.2020, si vatra të nxehta, ECDC=ja identifikonte Veriun e Spanjës, Lisbonën, Flandrinë,  (Antverp), Luksemburgun, Suedinë si edhe pjesë të Rumanisë dhe Bullgarisë. Gjermania, Italia, Franca, vendet baltike e Greqia kishin pasur në 14-ditëshin e fundit nga 20 infektime të reja në 100 000 banorë. Kjo është shifra që ECDC-ja e ka vendosur si referencë. Por as për këtë shifër nuk ka një qëndrim të përbashkët në BE. Ajo varion nga 16 deri në 50 (si në Gjermani) raste të reja për 100 000 banorë.

Seehofer: Jo mbyllje e kufirit

Kur vështron hartën e ECDC-së, e kupton se jo vende të tëra, por vetëm disa rajone përballen me rritje të shifrave të Coronës. Prandaj nuk ka kuptim që të mbyllen kufijtë për të gjithë vendin. Shumë më me rëndësi është që të identifikohen dhe izolohen hotspot-et rajonale, dhe të mbyllen zinxhirët e infektimeve edhe përtej kufijve të një vendi. Nga përvoja e mbylljes së parë të kufijve, në mars, prill dhe maj, vendet e BE-së patën nxjerrë si mësim se, në rast të një vale të dytë pandemie, do të vendoseshin kontrolle mes rajoneve dhe jo mes shteteve. Prandaj edhe ministri gjerman i punëve të brendshme, Horst Seehofer, njoftoi të hënën në Berlin, se në të ardhmen nuk do të ketë as mbyllje kufijsh e as kontrolle kufitare. Sepse sipas ekspertëve, problemi nuk qendron te udhëtimet, por tek mënyra e sjelljes së pushuesve në vendin e destinacionit dhe pasi janë kthyer në vendin e origjinës.

Valë e parë apo e dytë? 

Pyetja se a do të ketë në BE një valë të dytë pandemie, nuk mund të përgjigjet lehtë.
Sipas ECDC-së, shifrat e infektimeve po rriten, por ato janë shumë larg shifrave të marsit dhe prillit. Atëherë numri i infeksioneve shkonte deri në 35 000 në ditë. Kurse sot është maksimumi 10 mijë. Shifra më e ulët u arrit në fund të qershorit me 5 000.

Krahasuar me rajone të tjera të botës, BE-ja është relativisht mire. Numri i infeksioneve të reja ditore në mbarë botën këto ditë është afro 200 000. Më të prekurat janë Amerika dhe Azia. BE-ja regjistron vetëm 5 për qind të infeksioneve të reja në mbarë botën.

Thuajse e izoluar nga pjesa tjetër e botës

Këto shifra bëjnë që në Gjermani, thuajse të gjitha vendet jashtë Evropës, të konsiderohen si „zona rreziku“.
Gjermania nuk rekomandon kurrsesi udhëtime në SHBA, Brazil, Indi dh Afrikë të Jugut. Pas kthimit udhëtarët nga këto vende i pret karantina dhe nga java e ardhshme, testi i detyruar. Por as rregullat për hyrje-dalje në vendet e BE-së nuk janë të njëjta në rang BE-ja. Kjo nuk ka përse të na çuditë më. Shumë vende lejojnë hyrje turistike nga Kanadaja, Australia, Uruguaji ose Tajlanda. Hungaria, Polonia, Belgjika dhe Letonia nuk lejojnë hyrje as nga këto vende. Ato i kanë mbyllur kufijtë tërësisht, ndërsa Portugalia lejon me disa kushte hyrje nga Brazili dhe SHBA.

BE-ja, pra, është shumë larg harmonizimit të rregullave në kohën e koronës. Komisioni i BE-së në Bruksel mund të koordinojë dhe të mbledhë ca të dhëna. Por shtetet anëtare duhet të përgjigjen vetë për mbrojtjen e shëndetit të shtetasve dhe t’i vendosin vetë rregullat e hyrje-daljes. Çdo 14 ditë mblidhet në Bruksel një komitet, ku diskutohet për hapjen e kufijve me vende, si SHBA-ja, Rusia ose Kina. Në një të ardhme të afërt nuk ka thuajse fare shpresa për normalizim, thotë një nëpunës i BE-së: „Për sa kohë që virusi është ende në qarkullim, rrugët do të mbeten në mbyllura“.(DW)

Artikulli i mëparshëmShokon studimi: Covid-19 ka ekzistuar te lakuriqët e natës që 72 vite më parë
Artikulli i radhësFOTO/ Bankat më të rëndësishme në rajon besojnë projektin e BALFIN në Shkup