Ka marrë fund ëndrra e tifozëve të klubit të famshëm anglez Newcastle United për ta parë ekipin e tyre të fortë financiarisht dhe sportivisht.
Pronarët aktual të Newcastle United ishin prej kohësh në bisedime me investitorët arab në krye të të cilëve ishte multi miliarderi Mohammed Bin Salman.
Skuadrat rivale të Newcastle kishin filluar të frikësoheshin, pasi Bin Salman kishte premtuar se do të bënte përforcime të mëdha për t’i bërë ‘Laraskat’ ndër ekipet më të fuqishme në Angli dhe jo vetëm.
Por tani ka qenë ky grup i investitorëve arab që kanë konfirmuar se kanë hequr dorë nga blerja e klubit anglez.
“Me vlerësim të madh për komunitetin e Newcastle dhe për rëndësinë e ekipit të futbollit, ne kemi marrë vendim të tërheqim interesimin për blerjen e klubit të futbollit Newcastle United”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e investitorëve.
Sipas këtij grupi të investitorëve arabë, ata janë tërhequr nga blerja pasi marrëveshja në parim e arritur me pronarët aktual të klubit është zbehur dhe kishte disa paqartësi.
Tani Mohammed Bin Salman do të synojë të marrë një tjetër skuadër evropiane, pasi ai është i vendosur të investojë në futboll.
Nuk përjashtohet mundësia që Bin Salman të blejë klubin e madh italian Roma, pasi presidenti aktual i Giallorosëve, James Pallota e ka nxjerr klubin kryeqytetas në shitje.
Nëse dështon marrëveshja mes Pallotas dhe Friedklin, atëherë Bin Salman mund të futet në garë për blerjen e Romës.