Njerëzit që po vizitojnë Romën janë freskuar në shatërvanët historike të qytetit ditën e premte, që deri më sot ishte dhe dita më e nxehtë e vitit.
Temperaturat kanë vazhduar të rriten nëpër Evropë, duke bërë që të rriten edhe paralajmërimet për rrezikun që i kanoset shëndetit, në një kohë kur kontinenti i vjetër po merr masa të reja për t’u përballur me një valë të re eventuale të COVID-19.
Në Romë, ku ditën e enjte temperatura arriti në 38 gradë Celsius dhe më pas në 39 gradë të premten, autoritetet u këshilluan banorëve, kryesisht të moshuarve dhe fëmijëve, të shmangin lëvizjet.
Qyteti zakonisht do të ishte i mbushur me turistë në këtë periudhë të vitit, por pandemia e koronavirusit ka bërë që ai të mbetet i qetë edhe në muajt e verës.
Vizitorët e paktë, kryesisht vendas që kanë guxuar të sfidojnë vapën, mbanin të veshur maskat edhe pse ato nuk janë me detyrim.
Shifrat ditore të infektimeve në Itali kanë qenë të ulëta krahasuar me vende të tjera evropiane, të cilat e kanë kaluar pikun. Të enjten u regjistruan 386 raste të reja dhe 3 vdekje.