Kryetari i Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati pretendon se veterani Murtez Kastrati është ndaluar në Shqipëri me urdhër të Sërbisë. Policia Shqiptare e mohon prangosjen. Reagime nga palët.
Një lajm nga Kosova ka trazuar ujrat e politikës në vendin tonë. Mëngjesin e sotëm kryetari i Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati lajmëroi se veterani Murtez Kastratin nga Lipjani ishte ndaluar në Shqipëri për llogari të Serbisë.
Sipas tij, Serbia kishte lëshuar një listë në Interpol për ndalimin e veteranëve të luftës në Kosovë, pjesë e të cilës mesa duket ishte edhe Kastrati. Gucati kërkoi nga shteti shqiptar lirimin e shokut të luftës duke mos i marrë parasysh asnjëherë veprimet dhe listat e dërguar në Interpol nga Serbia.
Mirëpo ndryshe nga Gucati, Policia e Shtetit ka një tjetër version. Duke marrë parasysh zhurmën që arrestimi bëri në publik, zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gent Mullai ka mohuar kategorikisht lajmin për ndalimin e Kastratit nga Policia Shqiptare duke hedhur poshtë pretendimet e Gucatit.
Pavarësisht se Policia e mohoi ndalimin e veteranit të luftës, edhe Partia Demokratike ka reaguar ashpër. Anëtari i Këshillit, Kreshnik Collaku e cilësoi si një turp kombëtar ndalimin e Murtez Kastratit pas kërkesës së Serbisë në Shqipëri, duke kërkuar lirimin e tij.
Ndërkohë në një reagim zytar nga Kosova, është mësuar se Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stbulla ka telefonuar homologun e saj shqiptar, Gent Cakaj për të pyetur për më shumë informacione lidhur me prangosjen e pretenduar të veteranit të UÇK-së, ku Cakaj i ka sqaruar se Kastrati është ndaluar për verifikim dhe është liruar para dy orësh.
Kjo ngjarje ngjason me atë të prangosjes së ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundit u ndalua në Francë pasi për të Serbia kishte nxjerrë një udhër-arresti ndërkombëtar.