Arrestohet bosi i kartelit të drogës në Meksikë

0
This image has an empty alt attribute; its file name is Bosss-300x169.jpg

Forcat e Sigurisë së Meksikës kanë arrestuar të dielën liderin e dyshuar të kartelit të drogës Santa Rosa de Lima, José Antonio Yépez Ortiz, i njohur ndryshe edhe si “El Marro” – “Vareja”.

Autoritetet federale dhe shtetërore e arrestuan në shtetin Guanajuato, në qendër të Meksikës. Përveç tij, u vunë në pranga edhe 5 persona të tjerë, ndërsa një grua, sipërmarrëse e disa bizneseve në Meksikë, e cila ishte rrëmbyer prej tyre, u arrit të shpëtohej.

Ministri meksikan i Sigurisë, Alfonso Durazo, njoftoi se mbi Yépez Ortiz rëndojnë akuzat e krijimit të organizatës së strukturuar kriminale dhe vjedhje karburanti. Edhe presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador vlerësoi punën e autoriteteve.

“U arrit një arrestim shumë i rëndësishëm, tha ai. “Duhet të vazhdojmë të merremi me shkaqet e dhunës në vendin tonë. I themi “jo” korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë”. López Obrador është kritikuar së fundmi për qasjen jo të ashpër ndaj krimit, pasi edhe në fushatën zgjedhore kandidoi me moton “përqafime, jo plumba”.

Tetorin e kaluar, autoritetet në Meksikë arrestuan për pak orë Ovidio Guzmán, djalin e ish-kreut të kartelit të Sinaloas, Joaquin “El Chapo” Guzmán. Por ai u lirua pasi pjesëtarë të kartelit morën peng disa efektivë të forcave të sigurisë dhe paralizuan gjithë qytetin Kuliakian (Culiacán).

Në mars, López Obrador mori kritika të ashpra pasi shtrëngoi duart – pavarësisht kufizimeve për shkak të koronavirusit, me mamanë e “El Chapo”-s, gjatë një vizite në shtetin meksikan Sinaloa.

Autoritetet kishin muaj që kërkonin të arrestonin Yépez Ortiz pas rritjes së episodeve të dhunës në Guanajuato, territor i kontrolluar nga karteli i drejtuar prej tij. Santa Rosa de Lima siguron pjesën më të madhe të të ardhurave përmes zhvatjes dhe vjedhjes se karburantit. Në muajt e fundit një luftë për territor mes këtij karteli dhe Jalisco Nueva Generacion ka bërë që shifrat e kriminalitetit të rriteshin ndjeshëm.

Në Guanajuato ndodhin mesatarisht 10 vrasje në ditë. Në gjysmën e parë të vitit, shteti regjistroi të paktën 1691 vrasje, sipas të dhënave të qeverisë, duke e bërë shtetin meksikan më “vdekjeprurës”.

Artikulli i mëparshëmGushti i surprizave: Aneksimi i Bjellorusisë, mund të jetë lëvizja e radhës e Vladimir Putinit
Artikulli i radhësCOVID-19, OBSH: Nuk ka shkop magjik, zgjidhja në duart tona