Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, Genti Shala.
Trupa gjykuese ishte e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Olsi Komici, Firdes Shuli, të cilët pasi analizuan provat dhe faktet për ligjshmërinë e pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional, vendosën konfirmimin e tij në detyrë.
Komisioni e vlerësoi pozitivisht gjyqtarin Shala për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Megjithatë, Komisionin ka konstatuar një sërë problemesh të lidhura me deklarimet e pasurisë së gjyqtarit, por pas rivlerësimit të çështjes vendosi konfirmimin e tij në detyrë.
Shala e ka filluar karrierën e tij si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër në vitin 1999, pasi kishte shërbyer prej vitit 1995 në këtë gjykatë si ndihmës gjyqtar. Në vitin 2006 ai është emëruar anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, post që e ka mbajtur deri në vitin 2008. Në vitin 2010, Shala është emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, funksion që e ka edhe sot.