Policia e Shtetit ka dalë me një deklaratë zyrtare për ngjarjen ku F. K., 29 vjeç, banues në Durrës, ka marrë peng duke e mbajtur forcërisht në makinën e tij shtetasin me iniciale D. Xh., 34 vjeç, banues në Lezhë.
Mësohet se ka qenë pikërisht ky i fundit, i cili ka lajmëruar policinë për atë që i kishte ndodhur, menjëherë sapo 29- vjeçari e la të lirë. Sipas 34-vjeçarit, durrsaku e ka kërcënuar me jetë dhe në panik e sipër, ai iu drejtua Policisë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh kanë arrestuar në flagrancë shtetasin F. K., 29 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale ‘Heqja e paligjshme e lirisë’. Ky shtetas, në Lagjen 13, për motive pronësie ka mbajtur rreth një orë në makinë pa dëshirën e tij shtetasin D. Xh., 34 vjeç, banues në Lezhë”, njofton policia.
Por burime nga grupi i hetimit thanë për `Panorama` se shkak për këtë pengmarrje është bërë një borxh i pashlyer i 34-vjeçarit kundrejt 29-vjeçarit, i cili ka deklaruar se ia kishte kërkuar disa herë, por që lezhjani kishte refuzuar t’ia kthente borxhin.
“Nuk është se e mora peng. E mora në makinë për t’i kërkuar borxhin që më kishte. As e kam dhunuar dhe as i kam bërë presion, thjesht i kërkova atë që më takon. Pyeteni nëse e kam dhunuar gjatë kohës që ndodheshim në makinë, absolutisht jo. Ai mund të thotë çfarë të dojë, pasi kërkon që të dalë i larë nga kjo histori. Ai do të përfitojë, por unë nuk do të ndalem deri sa të marr mbrapsht borxhin që më ka”, ka deklaruar 29-vjeçari për grupin hetimor.
Ndërkohë grupi hetimit vazhdon hetimet, ndërsa 29-vjeçari akuzohet për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.