Cfarë kanë në plan Arabia Saudite dhe shtetet e Gjirit Persik? Zbulohet strategjia për të përfituar nga ulja e çmimeve të naftës

0

Fondi sovran Saudit bleu aksione me shumicë gjatë javëve të fundit në kompanitë kryesore të naftës , të tilla si, Royal Dutch Shell, Total, Repsol, Equinor dhe Eni

Fondet sovrane të manaxhimit të pasurisë të shtetevev të Gjirit, përfshirë këtu Fondin e Investimeve Publike të Arabisë Saudite dhe Fondin Mubadala të Abu Dhabi po mobilizohen për të blerë sa më shumë asete, vlera e të cilave kanë marrë një goditje të rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Bankier dhe zyrtarë të tjerë që janë të afërt me fondet thanë për Financial Times se po kërkonin të investonin në sektorë që do të ringrihen fuqishëm pas përfundimit të pandemisë, siç janë kujdesi shëndetësor, teknologjia apo edhe logjistika.

Një zyrtar i lartë saudit i tha Financial Times se qeveria  ka ngritur një ekip të dedikuar për të studiuar anët positive dhe negative “afatmesme dhe afatgjata” të krizës globale.

Fondi Saudit ka bërë tashmë një seri investimesh të mëdha gjatë javëve të kaluara, nisur me operatorin e lundrimeve Carnival deri tek shumëkombshet e naftës si Royal Dutch Shell PLC, Total SA, Repsol SA, Equinor ASA dhe Eni SpA Këtë javë grupi ra dakord të merrte në pronësi klubin ie futbollit anglez  të Newcastle United për një çmim prej 300 milion paund.

Zyrtari saudit tha se Riadi po shqyrtonte se si të “shfrytëzonte” situatën për të “zvogëluar ndikimin mbi mbretërinë në planin afatgjatë, por gjithashtu të përfitojë nga ndryshimet e modelit të biznesit në të gjithë botën”.

 “Ne po identifikojmë fusha mjaft interesante, qoftë në logjistikë, qoftë në teknologji dhe telemjekësi, apo të tjera që janë shumë premtuese në të ardhmen” tha zyrtari.

Gjuetia për marrëveshje të mira na sjell ndërmend krizën  financiare globale 2008-09, kur Katari dhe Abu Dhabi investuan miliarda dollarë në kompani të mëdha të goditura nga kriza, mes tyre ishin Barclays, Credit Suisse, VW Porsche dhe Daimler.

Bankierët nuk presin të njëjtën shkallë të transaksioneve si gjatë asaj periudhe.

 “Ne po i paraqesim çdo mundësi shteteve të Gjirit dhe Singaporit,” tha një bankier i lartë me qendër në Londër. “Ata do kanë mundësi për marrëveshje të shkëlqyera në këtë periudhë.”

Megjithë oreksin për investime, mjedisi është shumë i ndryshëm për shtetet e Gjirit në krahasim me krizën globale financiare të 2008, kur, me përjashtim të Dubai, ndikimi nuk ishte aq i rëndë sa në perëndim.

Sot, ata po luftojnë me pandeminë COVID-19 dhe vështirësitë ekonomike që ajo sjellë, njëkohësisht duhet të përballojnë edhe goditjen prej rënies së çmimeve të naftës pas pesë viteve të rritjes së vazhdueshme.

Artikulli i mëparshëmSHBA duhet të shkëputet plotësisht nga Kina
Artikulli i radhësPërfshihet nga flakët makinat e ish-gjyqtarit të Apelit Durrës. Dyshohet për zjarrëvënie të qëllimshme