Presidenti i Tiranës, Refik Halili, është shfaqur i lumtur që shorti i vendosi përballë gjeorgjianëve të Dinamo Tiblis në raundin e parë kualifikues në Ligën e Kampioneve.
Halili është shprehur se ky ishte një short i mirë për skuadrën e tij, teksa theksoi se brenda javës të bardheblutë do të ketë 3 afrime të reja në skuadër.
“Ndihem vërtet mirë, madje jam i qetë. Edhe pse ka pandemi, futbolli vazhdon. Është lehtësim fakti që të vazhdojmë të respektojmë ato rregulla që ka vendosur UEFA si edhe Federata Shqiptare për futbollin.
Kisha pritshmëri për shortin. Më tepër u gëzova për këtë përzgjedhje të fatit, pasi ne kemi luajtur më parë me Dinamo Tbilisin. Për klubin ishte short i mirë, duke shpresuar që të ecim bindshëm përpara.
Brenda javës do të kemi edhe tre afrime të reja. Shpresoj edhe uroj që të gjithë futbollistët të vazhdojnë të gëzojnë shëndet të mirë edhe të shkojmë në Gjeorgji të mobilizuar për të zhvilluar këtë ndeshje të radhës”, u shpreh Halili.