BILD
Ata mbajnë dritat e celularëve ndezur në Minsk dhe i përdorin si pishtarë të lirisë. Natën duke u gdhirë e hëna, në Bjellorusi u regjistruan skena kaotike. Përleshje të përgjakshme në rrugë mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.
Shumë qytetarë në mbarë vendin duan të rrëzojnë regjimin e Alexander Lukashenko, 65 vjeç.
A do jetë së shpejti vetëm histori diktatura e fundit në Europë?
Sfondi: kandidatja e opozitës, Svetlana Tichanovskaya, 37 vjeç, nuk e ka pranuar humbjen. Sipas medieve shtetërore, sundimtari ka marrë 80 përqind të votave. “Kjo është shumë larg realitetit,” tha Tichanovskaya, një ish-mësuese dhe tani aktiviste e të drejtave të njeriut.
Dhe në fakt, gjatë natës disa qendra votimi publikuan mesa duket rezultatin e vërtetë. Kudo është e njëjta panoramë: opozita është shumë përpara.
Tichanovskaya ka bërë thirrje për protesta paqësore: vetëm në Minsk në rrugë dolën mbi 100 mijë njerëz, që u përballën me brutalitetin policor. Forcat e sigurisë përdorën topa uji, gaz lotsjellës dhe plumba gome. Ata i dhunuan turmat në mënyrë të përgjakshme. Interneti u bllokua.
Policia i dhunoi me shkopinj gome, por pa sukses. Qytetarët në mbarë vendin po rrezikojnë jetën e tyre për liri dhe demokraci.
Ekspertët thonë se rezultati zgjedhor është i fiksuar- nisur nga kriza e rëndë ekonomike dhe protestat kundër Lukashenkos- të tilla shifra duken të pabesueshme.
Presidenti e ka sunduar këtë republikë ish-sovjetike i vetëm për 26 vite.
Ai ka kërcënuar se do të përdorë ushtrinë për të ruajtur pushtetin. Të dielën gjatë votimeve pati skenë shqetësuese në Bjellorusi. Forcat e sigurisë rrëmbyen anëtarët e opozitës, i futën nëpër kamionë të vegjël dhe u zhdukën me ta.
Synimi i rivales së Lukashenkos është që të fitojë zgjedhjet dhe të lirojë të gjithë të burgosurit politikë. Mes tyre është edhe i shoqi, Sergey, një blogger antiqeveritar.