‘Kryeministri i asgjësë’

0

Nga Petrit Vasili

Kryeministri dhe qeveria e asgjësë, që duhet të ndëshkohen e të bëhen shembull për sot e për mot! Edi Rama është shëmbëlltyra e asgjësë. Zero reforma, zero ndryshim, zero përmirësim. Reforma administrative, dështim i frikshëm me dëme financiare të pallogaritshme. Reforma në drejtësi, më shumë se dështim, thjesht kapje e drejtësisë, dekapitim i saj dhe kolapsi i plotë i sistemit. Shëndetësia, një dështim i tmerrshëm të cilit pandemia dhe administrimi katastrofik i vuri vulën. Rendi dhe siguria publike, ku fjala dështim është shumë e varfër pasi droga përmbyti të gjithë vendin dhe kriminelëve ju hapen autostrada në vend që t’u mbyllej çdo shteg.

Arsimi është një dështim pa koment, sepse kriza në arsim ulërin. Infrastruktura është pa asnjë diskutim, një dështim ku komentin e bën çdo qytetar, që dallon lehtë se çfarë ishte kur erdhi Edi Rama dhe çfarë u bë. U bënë nja 22 km rrugë me projekte të gjetura gati dhe qindra kilometra rrugë imagjinare me koncensione miliardere.

Politikat financiare të dështuara krye krej, që katandisën tek aministia për të shplarë paratë e krimit aq sa edhe Europa u ngrit në këmbë. Politika financiare për oligarkë, sa gishtat e dorës dhe mizerje për mijëra qytetarë që ikin me tmerr nga varfëria në Shqipëri.

Dështim katastrofik në mbështetjen e të rinjve duke i vendosur ata në fund të çdo prioriteti dhe duke u treguar me gisht si zgjidhje vetëm emigracionin.

Edi Rama është dhe mbetet kryeministri i asgjësë. I vetmi që erdhi dhe po ikën dhe nuk numëron dot as edhe një punë të mirë të vetme. Edi Rama po lë pas vetëm miliarda euro borxhe koncesione, qindra milionë euro në gjyqe ndërkombëtare të humbura; qindra milionë euro detyrime ndaj biznesit, një imazh të Kolumbisë së Evropës, një kthim të Shqipërisë në lavatriçe të pastrimit të parave të krimit e drogës; një pasiguri juridike dhe financiare, që largon çdo biznes të huaj dhe vendas; një varfëri shpërthyese; një presion kriminal të pashembullt ndaj medias dhe fjalës së lirë që janë kthyer në shqetësim evropian; një proces integrimi evropian në ditët më të këqia dhe për pasojë një izolim të Shqipërisë.

Këtij bilanci nuk i shmanget dot asnjë. Ky bilanc është i qartë dhe asnjë lloj e soj propagande nuk e fsheh dot. Edi Rama apo asgjëja ka mbaruar, ky është fakt pa kthim, por toka e djegur, që po lë pas, kërkon një ndëshkim shumë të rreptë dhe pa asnjë hezitim si një shembull për sot e për mot!

Artikulli i mëparshëmMeta kthen ligjin për pronat e paluajtshme shtetërore: Krijon hapësira për abuzime në bregdet
Artikulli i radhësVIDEO/ Vajza filmohet teksa jep para te Sanatoriumi, dëshmia: Çdo infermieri 50 mijë lekë në ditë