Anija naftëmbajtëse e cila u përplas pranë ishullit Mauritius në oqeanin Indian në fund të korrikut u nda në dy pjesë gjatë të dielës, duke rrezikuar derdhjen e më shumë nafte në det.
Anija japoneze kishte rreth 4000 tonë naftë në bord kur pësoi aksidentin dhe 1000 tonë përfunduan në ujë, duke mbërritur deri në plazhet fantastike të ishullit që është edhe një destinacion turistik tepër i preferuar.
Fatkeqësisht edhe rreth 100 tonë naftë ishin ende në anije në momentin e ndarjes së saj në dy pjesë. Fotot janë publikuar vetëm të shtunën nga autoritetet vendase, por nuk është konfirmuar kur ka ndodhur ndarja e mjetit lundrues.
Qeveria në Mauritius ka deklaruar se po kërkon kompensim për dëmin e jashtëzakonshëm që i është shkaktuar, pasi nafta ka mbuluar disa nga plazhet më të bukura të ishullit, të famshëm për ujin e kristaltë dhe natyrën e paprekur. Deri tani janë dëmtuar rreth 11,5 kilometra vijë bregdetare.
Sipas ligjeve ndërkombëtare, përgjegjës për dëmin është kompania japoneze Nagashiki Shipping që ka në pronësi anijen dhe sipas një zyre ligjore në Tokio, dëmi mund të kalojë 19 milionë dollarët.