Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës teksa një 23-vjeçar është qëlluar me automatik. Shtetasi Gledis Kraja fillimisht mbeti i plagosur rëndë, por pas pak minutash humbi jetën në spitalin rajonal të Shkodrës, duke mos arritur që t’i bëjë ballë plumbave që kishte në trup. I riu u dërgua me shpejtësi në spital për të marrë ndihmën e pare, por nuk ia ka dalë që të shpëtojë.
Menjëherë forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke rrethuar zonën dhe duke nisur hetimet për vrasjen e ndodhur. Nga burimet policore mësohet se autor i dyshuar i vrasjes së 23-vjeçarit është shtetasi Sebastian Smakaj dhe i dyshuar si bashkëpunëtor vëllai i tij, Stjuart Smakaj, të cilët janë shpallur në kërkim.
Vëllai i autorit të dyshuar ka qenë shok i ngushtë me viktimën. Nga sa mësohet 23-vjeçari është vrarë gabimisht nga shoku i tij. Autori i dyshuar ka porositur mobilie për shtëpinë në një kompani në Shkodër. Porosia e mobilieve i ka mbërritur poshtë pallatit në lagjen Qafëhardhi dhe në atë moment autori i dyshuar ka nisur një debat për parkimin e kamionit, që kishte sjellë mobiliet, për shkak se ishte bllokuar rruga.
Më pas, aty ka mbërritur edhe pronari i kompanisë së mobilieve, me të cilin autori i dyshuar ka vazhduar debatin. Më pas, shtetasi Sebastian Smakaj dyshohet se ka shkuar dhe ka marrë armën e zjarrit tip automatik kallashnikov dhe ka ardhur në drejtim të vendit ku ka debatuar.
Aty dyshohet se ka nisur që të qëllojë në drejtim të pronarit të mobilieve, por gabimisht një plumb ka kapur në shpatulla shokun e tij, Gledis Kraja, i cili humbi jetën në spital. Madje viktima ka qenë duke ndihmuar shokun e tij në debatin që kishte me kompaninë e mobilieve, por mbeti i vrarë gabimisht nga shoku i tij, i cili ka shtënë me 14 plumba në total.
Viktima në momentin kur mbeti i plagosur është dërguar në spital nga vëllai i madh i autorit të dyshuar. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit të dyshuar dhe vëllait të tij. Autori i dyshuar është kampion në sportin e arteve marciale taekëondo, kurse viktima ka qenë ish-futbollist me ekipe të ligës amatore, ndërsa ka provuar të jetë pjesë edhe e Adës së Velipojës.