Dita e 19-të e protestës në Tiranë u zhvillua mes dy tubimeve paralele, njëri i studentëve para Ministrisë së Arsimit dhe tjetri i thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë. Me kalimin e orëve, protesta kaloi nga thirrjet politike te përplasjet me policinë, ndërsa në disa momente u përdorën molotovë, ujë me presion dhe më pas edhe spraj me piper.

Dy protesta, një ditë me tension të shtuar
Në nisje të ditës, studentët u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, ndërsa mbështetës të opozitës marshuan drejt Kryeministrisë me deputetë të Partisë Demokratike në krye. Sali Berisha kishte bërë thirrje një ditë më parë për pjesëmarrje në protestën kombëtare në mbështetje të studentëve, por nuk ishte i pranishëm në marshim.
Pas rreth 30 minutash qëndrimi para Kryeministrisë, grupi i protestuesve të opozitës u zhvendos drejt Ministrisë së Arsimit. Në hyrje të Rrugës së Durrësit, ata u përballën me thirrje kundër të dy krahëve politikë, çka nxori në pah përplasjen e hapur mes frymës studentore dhe kapitalizimit politik të protestës.
Përplasje verbale dhe akuza nga policia
Pranë zonës së Ministrisë së Arsimit pati tensione të para mes grupimeve. Nga njëra anë u dëgjuan thirrje politike, ndërsa nga ana tjetër pati kundërshti të drejtpërdrejtë ndaj pranisë së deputetëve të opozitës në protestë.
Sipas policisë, një grup protestuesish të maskuar hodhi gurë dhe sende të forta drejt efektivëve. Uniformat blu pretenduan se personat ishin identifikuar dhe paralajmëruan pasoja ligjore, ndërsa protestuesve të tjerë u kërkuan të distancoheshin. Pavarësisht këtyre thirrjeve, në terren u raportua se u hoqën edhe pllaka guri nga trotuaret dhe u hodhën drejt forcave të rendit.
Tym, molotovë dhe ndërhyrje me ujë
Para Ministrisë së Arsimit u krijua një re tymi. Fillimisht u raportua se vinte nga flakadanët, ndërsa më pas u sqarua se bëhej fjalë për tym nga zjarri i fikur në kazanët e mbeturinave pranë zonës.
Policia kujtoi gjithashtu aktin normativ të qeverisë për protestat, që sipas versionit zyrtar ndalon mbajtjen e maskave dhe sulmet ndaj efektivëve. Në fazën e parë, ndërhyrja mbeti e kufizuar, por më pas u përdorën autobotë me ujë si masë shpërndarëse.
Rreth pasdites, situata u përshkallëzua më tej kur nga protesta u hodhën molotovë drejt policisë, ndërsa nga ana e forcave të rendit pati përgjigje me ujë me presion. Në episode të tjera u raportua edhe përdorim i gazit lotsjellës.
Rikthimi para Kryeministrisë dhe shoqërimet
Pas disa orësh përplasje pranë Ministrisë së Arsimit, protesta u zhvendos sërish drejt Kryeministrisë. Fillimisht pati një qëndrim më të qetë, por tensionet u rikthyen shpejt sapo disa protestues hodhën molotovë në drejtim të kordonit policor.
Më pas policia ndërhyri me autobotë me ujë dhe me thirrje për largim nga perimetri i godinës. Pas incidenteve, nisi edhe shoqërimi i disa protestuesve. Përplasjet u përhapën më pas në disa rrugë të Tiranës, përfshirë zonën e “Myslym Shyrit”, ku u raportuan ndjekje, tentativa për t’iu shmangur shoqërimeve dhe hedhje mjetesh ndezëse drejt autobotit të ujit.
Edhe pasi turma u shpërnda për pak minuta, një grup protestuesish u rikthye sërish para Kryeministrisë me thirrje politike kundër Edi Ramës. Në këtë fazë, policia reagoi me ujë dhe spraj me piper, duke e çuar ditën e 19-të të protestës në një tjetër nivel përshkallëzimi.
Në kulmin e tensioneve, kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale me një postim ironik mbi protestën poshtë zyrës së tij.
Bilanci i plotë i shoqërimeve dhe i personave të lënduar nuk u bë i qartë menjëherë, ndërsa pamjet nga terreni treguan një tjetër ditë ku përplasja politike dhe menaxhimi policor mbizotëruan mbi çdo përpjekje për ta mbajtur tubimin nën kontroll.
