Personi që i shpëtoi breshërisë së plumbave të Stjuart Smakajt në Shkodër, ka dhënë po ashtu dëshminë e vet në Gjykatë.
Ai quhet Denis Halili dhe vdekja, që mori Gledis Krajën, shokun e ngushtë të vrasësit, në fakt ishte nisur drejt tij.
Denis Halili ka deklaruar se pas një debati që ka pasur me Smakajn, ka shkuar drejt makinës së vet, por atë e ka ndjekur nga pas Gledis Kraja, me qëllim që të mos e linte të futej në makinë.
Kur të dy ndodheshin pranë makinës, janë dëgjuar krismat e armës.
“Kam ikur me shpejtësi, – ka treguar Denis Halili, – dhe jam shtrirë. Më pas kam ikur me vrap për t’i shpëtuar plumbave. Duke ikur kam parë se Gledis Kraja ishte plagosur dhe ra në tokë”.
Autori i sulmit Stjuart Smakaj u arrestua nga Policia pasi u rrethua dhe tregoi të njëjtin version të ngjarjes. Sipas Policisë, vrasja e Gledis Krajës ishte aksidentale.