Spahia zbulon pse u dyfishuan shifrat e testimeve: Deklaratat e Ramës për manipulimin të rrezikshme

0

Nga Juxhin Mustafaraj

Për mjekun Bardh Spahia qëndrimet e kryeministrit Rama mbi shifrat e deklaruara nga Shqipëria dhe vendet e tjera në botë në lidhje me infektimet me koronavirus janë të papërgjegjshme në situatën me të cilën vendi po përballet.

Në një intervistë për ABC News, Spahia kujton se Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të testimeve në rajon dhe pavarësisht kësaj me përqindjen më të lartë të të infektuarve.

“Kjo lloj qasje nga ana e kryeministrit është sa qesharake, e trishtueshme, aq edhe e rrezikshme do të thoja, pasi nuk është kjo mënyra e duhur për tu përballur me një problematikë kaq serioze.

Nuk mund të flitet për paraqitje të situatës reale dhe shifra të sakta në një kohë që jemi vendi i cili tashmë është i faktuar me numrin më të vogël të testimeve. Ndërkohë në vende të tjera të cilat realizojnë një numër të testimeve të jashtëzakonshme, shihet qartë se shkalla e përhapjes së këtij virusi është rreth 5%.

Kjo është pak a shumë trendi dhe përqindja në të gjithë vendet serioze që kanë realizuar në shifra të konsiderueshme numrin e personave të testuar”, tha ish-deputeti.

Spahia shpjegon edhe arsyen përse ditët e fundit ka një rritje të numrit të testeve të paraqitura nga ministria, teksa thekson se fokusi duhet të jetë tek testimi i personave me simptoma dhe gjurmimi i kontakteve të personave të konfirmuar me koronavirus.

“Ka një arsye shumë të thjeshtë se përse ka një dyfishim të numrit të testimeve. Kjo lidhet me numrin e lartë të emigrantëve shqiptarë të cilët janë të detyruar në njëfarë mënyre të jenë të pajisur me një dokument të realizimit të këtij testi në mënyrë që të kenë akses pastaj në vendet ku do të shkojnë”, theksoi Spahia.

Kur po i afrohemi shtatorit dhe gripit stinor, Spahia ka një apel për qeverinë për vaksinimin e popullatës dhe sigurimin e fondeve nëse muajt e ardhshëm do të ketë një vaksinë për covid-19.

“Është i një rëndësie të jashtëzakonshme garantimi i vaksinimit të popullatës në shifra sa më të mëdha në mënyrë që të evitojmë së paku gripin stinor përsa i përket stinës së vjeshtës dhe dimrit por njëkohësisht edhe duhet të merren masa urgjente dhe të negociohet domosdoshmëria e sigurimit të vaksinës kundër koronavirusit në momentin e parë që ajo do të marrë aprovimet e ekspertëve ndërkombëtarë”, u shpreh mjeku Spahia.

Partia Demokratike i ka bërë thirrje qeverisë të rrisë numrin e testimeve dhe të sigurojë pajisje spitalore për të qenë në gatishmëri për përballimin e çdo situate që mund të sjellin muajt e dimrit ku prezent është edhe gripi stinor./abcnews.al

Artikulli i mëparshëmPropozoi të ulte në dialog opozitën bjelloruse dhe Lukashenkon, KE i hap rrugë vizitës së Ramës në Minsk
Artikulli i radhësCovid-19/ Evropa rrezikon një përshkallëzim të ri