Kush po i përze shqiptarët nga vendi

0

Një artikull alarmant i “The Economist” për shpopullimin dhe plakjen e Shqipërisë, ka ndezur në vend debatin më meskin dhe sipërfaqësor që mund të imagjinohej. 

Kundërshtarët e Edi Ramës, argumentojnë se ardhja e rilindjes në pushtet ka përkuar jo krejt rastësisht me një valë të re emigracioni dhe bëjnë kryeministrin aktual tërësisht përgjegjës, për faktin se sikurse vërente bibla e ekonomisë liberale,  Shqipëria mund të tkurret me 26% të popullsisë së saj deri në vitin 2050.

Nga ana tjetër kryqëtarët pro Rama po e relativizojnë këtë të dhënë të frikshme duke e përjashtuar krejtësisht nga përgjegjësia idhullin e tyre dhe duke e paraqitur këtë si një mallkim që ka prekur të gjithë Ballkanin Perendimor, madje madje edhe krejt Europën ish komuniste, përfshirë edhe vende që tashmë janë bërë pjestarë të BE-së.

Në fakt, e vërteta është disi më e komplikuar. Ajo është një përzierje faktorësh ku ndërthuret edhe keqqeverisja aktuale edhe fenomeni global. Nga njëra anë është e pamohushme se vrasja e shpresës pas rrëzimit të regjimit të Berishës, sjellja e grabitësve të ‘një milion shuplakave”, njësoj, madje shpesh edhe më keq se pararadhësi, i yshti shumë shqiptarë të bënin gati valixhet, duke e lënë atdheun pa kthyer kokën mbrapa me shprehjen tashmë të njohur: “ky vend nuk bëhet”. Këtë fenomen që gjithkush e ka prekur e vërtetojnë në mënyre dramatike edhe shifrat.

Por njëkohësisht shpopullimi i Shqipërisë nuk është një rast i veçuar. Ajo është një sëmundje e gjithë ish lindjes komuniste, e cila, që nga viti ‘90, është rajoni me tkurrjen më të madhe të popullësisë në të gjithë botën. Kur mendon se në këto tre dekada, vende që tani janë bërë pjesë e Bashkimit Europian kanë humbur çerekun e popullsisë së tyre (Letonia 27% / Bullgaria 21%), e ke më të lehtë të kuptosh se përmasat e fenomenit nuk kanë lidhje vetëm me ne.

Në një libër fantastik botuar së fundi, që sejcili që do të kuptojë tranzicionin post komunist duhet ta lexojë patjetër (“Drita që u shua’, botim i Institutit Shqiptar të Medias, 1000 lekë), autorët Ivan krastev dhe Stephen Holmes, analizojnë edhe disa nga arsyet sociale dhe psikologjike të këtij fenomeni. Ata shpjegojnë se revolucionet antikomuniste të lindjes që, patën si bazë dhe ideal kopjimin e shoqërive perendimore, i nxitën qytetarët e këtyre vendeve të nxitonin të rendnin drejt tokës së ëndërruar. Ata vërejnë se në shoqëri si jona me “pashaportizim”, ku lëvizja e lirë ishte e kontrolluar nga shteti, shpërngulja nga periferia kulturore drejt qendrës kulturore dhe politike, u konceptua si privilegj. Të gjithë ata që e ndërmorën këtë hap e lidhën automatikisht me mundësinë e një suksesi më të shpejtë social.

Por, këto arsye të përgjithshme nuk mund ti veçosh dot nga ato që janë mëkatet tona dhe që i gjejmë këtë ditë gushti, kur politika për politikë ka shkuar me pushime, në formë titujsh alarmanë në media.  

Kështu, rënia dramatike e lindshmërisë foshnjore që para viteve ‘90 e tejkalonte kufirin e riprodhimit me mbi 2 fëmijë për çdo nënë, sot është gremisur në mënyrë dramatike nën nivelin e vendeve të BE-së. Një e dhënë e tillë tregon se, në rastin mën të mirë, politika e qeverisë e nisur në vitin 2018, për bonusin e bebes që i jep çdo familjeje, 40-mijë lekë për fëmijën e parë, 80-mijë për të dytin dhe 120-mijë për fëmijën e tretë, ka dështuar. Ajo nuk mjafton të jetë një mjet propogande për kronikat e përgatitura të lajmeve të 1 janarit, kur kryeministri e shpërndan personalisht këtë bonus, nëse nuk shoqërohet edhe me avantazhe të tjera.

Po këto ditë në shtyp gëluan lajme të tjera nga ato që të bëjnë ti’a mbathësh nga sytë këmbët. Sipas OBSH, sistemi mjeksor i vendit i afrohet atyre të singjashëm në Afrikë, me 1 mjek për 1 mijë banorë. Pra ky është prioriteti i fillim mandatit të shëndetësisë falas.

Një tjetër e dhënë trishtuese ishte edhe statistika se shqiptarët i paguajnë ushqimet më shtrenjtë se në të gjithë rajonin, madje buxheti për të mbushur barkun zë një pjesë tmerrësisht të konsiderueshme të të ardhurave të tyre totale.

Pikërisht këto shifra të mungesës së mirqenies të kombinuara me ato të shkelmimit të meritokracisë, të arsimit të shtrenjtë dhe për të ardhur keq, të pa sigurisë për jetën, i detyrojnë shqiptarët të nxitojnë drejt kërkimit të fatit individual.

Prandaj ky debat do një diskutim më të thellë dhe të zhveshur nga interesi i ditës, pro ose kundër kryeministrit të radhës. Në të janë në keqbesim edhe ata që e sulmojnë edhe ata që e mbrojnë Edi Ramën, sepse mbi të gjitha, në rastin më të keq, ai është i lidhur me mbijetesën e kombit, ndërsa, në rastin më fatlum, me përdorimin që nacionalistët populistë mund ti bëjnë kësaj teme për të nxjerrë kokën në sipërfaqen e politikës shqiptare. 

Artikulli i mëparshëmFOTOT shokuese, se çfarë iu shkakton alkooli: Shembulli i 47-vjeçares, që flet vetë
Artikulli i radhësKërcënoi gruan se do ndaheshin, vjehrri fton për kafe dhëndrin dhe e rreh