Gratë shtatzëna duhet ta shmangin plotësisht kafeinën nëse duan të mbrojnë shëndetin e foshnjës së tyre, paralajmëron një studim i publikuar mbrëmë, sipas “Daily Mail”.
Bazuar në 48 studime mbi 20 vjet, u arrit në përfundimin se edhe marrja minimale e kafeinës rrit rrezikun e abortit, lindjes së parakohshme apo peshës së ulët të foshnjës.
Por ekspertët thanë se paralajmërimet ishin alarmante kur panë se si disa studime tregonin se sasi të moderuara të kafeinës ishin të sigurta.
Gratë duhet të konsumojnë jo më shumë se 200 mg në ditë, afërsisht dy filxhanë kafeje, sipas “Royal College of Obstetricians and Gynecologists” (RCOG). Mbrëmë ajo insistoi se nuk do ta ndryshonte këtë këshillë.
Por profesori Jack James, arriti në përfundimin se edhe marrja minimale e kafeinës rrit rrezikun e abortit, lindjes së parakohshme apo peshës së ulët të foshnjës. Ai pretendon se mijëra foshnje dëmtohen çdo vit kur gratë konsumojnë gjoja nivele të sigurta të kafeinës.
Studimet që ai analizoi në Universitetin Reykjavik në Islandë, zbuluan se madje edhe nivele të ulëta të kafeinës mund të rrisin rrezikun e abortit deri në 36 përqind, lindjes së parakohshme deri në 19 përqind dhe peshës së ulët të foshnjës deri në 51 përqind. Leuçemia dhe mbipesha ishin gjithashtu rreziqe të mundshme.
Profesori James llogariti që nëse çdo grua shtatzënë në Britani konsumonte 200 mg kafeinë në ditë, 70,000 foshnje do të dëmtoheshin.
Zyrtarët e Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Ushqimit sugjeruan që gratë shtatzëna duhet të konsumojnë më pak se 200 mg kafeinë.
Zyrtarët shëndetësorë paralajmëruan se ata që shkelin kufijtë rrezikojnë një mori problemesh shëndetësore, duke filluar nga ankthi deri te ataku kardiak.
Paralajmërimi i tij tregoi gjithashtu lidhjen midis konsumit të lartë të kafeinës gjatë shtatëzënisë dhe lindjes së një fëmije nënpeshë.
Ai tha se zakonisht kafeina thithej shpejt nga trupi, ku minimumi është brenda një ore.
Më pas duhen rreth pesë orë që niveli i kafeinës në gjak të përgjysmohet, me që niveli bie gradualisht.
Por ai tha që gjatë shtatzënisë trupit i duhej më shumë kohë për të hequr qafe substancën. Deri në javën e 38-të të shtatzënisë, mund të duhen 18 orë që niveli i kafeinës të përgjysmohet.
Profesori James tha që kjo mund të bëjë që rrahjet e zemrës së foshnjës të përshpejtohen dhe enët e gjakut të ngushtohen.
Ai shkroi: “Në të vërtetë, foshnjat e porsalindura të nënave që konsumojnë kafeinë, përjetojnë simptoma të ndryshme, përfshirë gjumin e parehatshëm, të vjellat, si dhe shpeshtësinë e rrahjeve të parregullta të zemrës dhe problemet e frymëmarrjes.”