Tirana ka një shans të madh për të shkuar në fazën e grupeve, sepse në shortin e turit të tretë të Europa League do të jetë në vazon e favoritëve. Po, është më se e vërtetë. Skuadra bardheblu do të ketë kundërshtarë relativisht të lehtë që mund ta çojnë në “play off”- in e Europa League, madje rrezikon që të ketë përballë sërish edhe Dinamon e Tbilisit.
KAMPIONËT – Për ata që nuk e dinë, në turin e tretë të Europa League, Tirana dhe çdo skuadër tjetër që vjen nga Champions League luan bashkë. Skuadrat kampione përballen me njëra-tjetrën në bazë të koeficientit. Për të njohur rivalen e saj të radhës, do t’i duhet të presë që të përfundojnë dy turet kualifikuese të Ligës së Europës.
Rregullorja e UEFA-s specifikon që në turin e tretë të Ligës së Europës do të jenë prezente 20 skuadra: 10 do të jenë humbëset e turit të dytë kualifikues të Champions-it, ku bën pjesë tashmë edhe Tirana, ndërsa 10 skuadrat e tjera do të jenë 10 skuadrat fituese të turit të dytë të Ligës së Europës. Në fakt, kualifikimi në turin e dytë të Champions-it i ka dhënë një dorë shumë të madhe Tiranës, sepse do të përballet me një skuadër më të dobët se vetë ajo. Tirana është kokë serie në short dhe përballë ka ekipet e vogla.
Tirana ka eliminuar ekipet e forta si Sëlltiku, Legia Varshava e me radhë. Larg edhe Ludogorets apo Kluzhi. Pra Tirana mund të flejë e qetë. Më e bukura është se kundërshtarët e mundshëm janë Astana, Dundalk, Dinamo Tbilisi apo skuadra të tjera që Tirana i ka më se të kalueshme.
E veçanta është se këto skuadra janë hipotetikisht kundërshtare, pasi si fillim ekipet e vazos së dytë duhet të luajnë në turin e dytë të Europa League mes ekipeve të eliminuara nga Champions-i dhe më pas do të kalojnë në turin e tretë të Europa League. Për të pasur një panoramë më të qartë, duhet pritur data 1 shtator, kur do të hidhet shorti i turit të tretë paraeliminator i Ligës së Europës. E sigurt është që përballë do të ketë një ekip kampion të kampionatit respektiv, ky është shansi i madh për të shkuar në “play off”-in e Europa League.