“Me 21-shin në shpinë nuk ndihesha Ibra”, suedezi i jep zemër Milanit: Të detyruar për të fituar diçka sivjet

0
iBRA

Me një komunikatë për shtyp Milani ka njoftuar dje kontratën me ZlatanIbrahimoviçin deri më 30 qershor 2021. Lidhjen me kuqezinjtë suedezi e ka komentuar në një intervistë ekskluzive për televizionin e klubit, duke folur gjithashtu edhe për aspekte të tjera të sezonit që e pret me “Djallin”.

Cilat janë ndjesitë e kësaj aventure të re?

Jam ndier gjithmonë pjesë e Milanit sepse jam trajtuar mirë gjithmonë. E kam menduar ekipin shpesh, madje edhe kur kam luajtur për klube të tjera. Tashmë më duket vetja si në shtëpi dhe as që e ndiej se kam qenë larg.

Përse zgjidhët numrin 11?

Sepse me atë më identifikojnë tifozët. Me 21-shin në shpinë nuk ndihesha Ibrahimoviçi i Milanit të parë, ndaj kërkova këtë numër për t’u ndier si dikur.

Përse zgjodhët të riktheheshit?

Dua të çoj Milanin në nivelet e veta, aty ku e meriton. Do të bëj gjithçka për të arritur objektivat e paracaktuar. Nevojiten shumë sakrifica, por në 6 muajt e fundit kemi kuptuar se çfarë duhet për të arritur atje ku dëshirojmë. Njëkohësisht nuk duhet të harrojmë se nuk kemi fituar asgjë deri tani dhe në mendjen time synimi i suksesit është gjithmonë i pranishëm. Këtë sezon jemi të detyruar të fitojmë diçka.

Klubi sakrifikoi shumë për të rinovuar kontratën tuaj…

Në fakt, dua t’i falënderoj të gjithë, nga trajneri e deri të drejtuesit, për besimin. Bënë gjithçka mundën për të më mbajtur te Milani. Në 6 muajt e fundit tregova se mosha nuk ndikon aspak. Gjatë pushimeve kam folur shpesh me drejtuesit dhe të ardhmen e shihja vetëm te Milani. Tani po mendoj për futbollin, për të ndihmuar ekipin dhe për të kënaqur tifozët tanë.

Çfarë prisni nga sezoni i ri?

Që Milani të vazhdojë aty ku e la, duke punuar e besuar më fort. Të gjithë duhet të luajmë me krenarinë që të fal fanella e Milanit dhe me privilegjin se mund ta mbajmë në trup, sigurisht pa harruar edhe trysninë e historisë.

Ekipi mezi ju priste, veçanërisht miku juaj Çalhanoglu…

Kur jam njohur me Hakanin, i kam thënë që duhet ta ketë për nder që mban fanellën me numrin 10. Është një djalosh që ndien përgjegjësinë e që punon fort. Nuk duhet të ndalet dhe ai e di se çfarë nevojitet të bëjë për ta merituar atë numër.

I gjithë ekipi i njeh detyrat e veta dhe se me çfarë mentaliteti duhet zbritur në fushë, madje edhe kur gjërat nuk shkojnë siç dëshirojmë. Nga ana ime do të bëj të pamundur në mënyrë që të gjithë të japim 200 përqind në stërvitje dhe në çdo ndeshje.

Ndonjë batutë për mikun tuaj Pirlo që tashmë drejton Juventusin?

Më vjen mirë për Andrean. Që kur luante, kishte një vizion që e dallonte nga çdo lojtar tjetër. Ai do të jetë një trajner i madh dhe më vjen mirë që këtë mundësi do ta ketë në stolin e një klubi të madh.

Artikulli i mëparshëmEPIKE/ Futbollistët e Napolit futen në kazanët e plehrave, klubi zbulon arsyen
Artikulli i radhësBjellorusi-Shqipëri/ Një suedez vendos drejtësinë në Minsk, ja profili i tij