‘Kemi përpara një dimër të vështirë’, paralajmërimi i fortë nga virologu gjerman: Ja ku është situata më shqetësuese…

0
Image

Gjatë pandemisë së koronës gjermanët dëgjonin këshillat e virologut, Christian Drostenit. Në një intervistë për Deutsche Wellen ai paralajmëron se kemi përpara një dimër të vështirë.  

DW: Dhe sa kohë do të na duhet të jetojmë me pandeminë e koronës?

Christian Drosten: Është e vështirë të bësh prognoza globale. Në Europë ne kemi gjendje me vështirësi të ndryshme. Dimri nuk do të jetë i lehtë. Vitin e ardhshëm do të kemi vaksinat. Unë mendoj se në fund të vitit të ardhshëm ato të mund të furnizohen tek pjesë të caktuara të popullsisë. Nga maskat nuk do të shpëtojmë aq lehtë. Sepse edhe kur të fillojmë me vaksinat pjesa më e madhe e popullsisë do të duhet të vazhdojë të mbajë maska. Në vende si Gjermania, ku ka pak infeksione imuniteti nuk do të jetë i madh. Ka mundësi që kjo të mos vërehet në vende të tjera të Europës.

Sa i përket rajoneve të tjera është e vështirë të thuhet. Në Afrikë për shembull duket se përhapja e sëmundjes nuk është aq keq. Kjo mund të jetë e lidhur me strukturën e moshës së re të popullsisë. Por duhet thënë se ne jemi duke vëzhguar vetëm qendrat urbane, ku jetojnë shumë të rinj. Ne nuk e dimë si sillet virusi kur përhapet në zonat rurale. Po ashtu ne nuk e dimë çfarë statusi ka epidemia atje. Ka të dhëna që thonë se infeksioni është në rënie. Ka mundësi që në qytete epidemia të jetë në rënie, por po ashtu ekziston mundësia që ajo të fillojë tani me forcë të madhe.

Cilat janë rajonet më shqetësuese për ju?

Aktualisht unë jam shumë i shqetësuar për Indinë. India ka dendësi të madhe popullsie. Virusi është duke u përhapur aty pothuajse pa kontroll. Po ashtu territore të Amerikës së Jugut. Për Afrikën sapo fola, kontinenti afrikan është aktualisht një e gjëegjëzë e vogël. Dhe në hemisferën veriore është duke ardhur dimri dhe ka rajone, mes të cilave edhe Europa, ku kontrolli mbi virusin është i pakët. Disa vende janë duke shkuar me shumë raste korone në stinën e ftohtë të dimrit dhe besimi tek strukturat mjekësore dhe tek sistemi i kujdesit ndaj shëndetit është i ulët. Ka vende edhe të Europës, që duhet të marrin shumë shpejt masa të forta.

Vendet e tjera shohin tek Gjermania një lloj shembulli sa i takon trajtimit të pandemisë. Çfarë janë duke bërë gjermanët si duhet?

Është një kombinim i shumë gjërave. E para është sigurisht trajtimi i vendosur i bërë në fillim të valës së parë, i paracaktuar në atë kohë nga kancelarja. Ndërkohë bashkëpunimi midis landeve ka rënë. Por vendimtarja ka qenë që Gjermania reagoi shumë shpejt. Jo sa i përket datës kalendarike, por sa i përket momentit relativ kur u vendos kufizimi i kontakteve, që quhet nganjëherë edhe Lockdown.

Epidemia filloi tek ne më vonë. Rastet e para të koronës u kthyen në epidemi në fillim të muajit shkurt, dhe jo në janar. Rastet e para të importuara u mbajtën nën kontroll e nuk u përhapën. Kjo është mbase arsyeja pse trajtimi ynë ishte eficient. Mbas Lockdown, le të themi pas mesit të majit, në Gjermani ka pasur pak raste dhe kjo gjendje nuk ka ndryshuar. Deri tani, megjithëse jemi duke pare një rritje të vogël të infeksioneve.

Tani jemi në vjeshtë dhe kemi dimrin para. Si mendoni, çfarë do të ndodhë në Gjermani?

Sa i përket strukturës së popullsisë dhe parametrave të tjerë ndryshimet mes vendeve europiane janë të pakta. Kështu që ne duhet të shohim nga Franca, Britania e Madhe dhe Spanja. Ajo që ndodh atje do të ndodhë edhe në Gjermani, nëse nuk reagojmë shpejt dhe në një mënyrë që të jetë e durueshme për ekonominë dhe me synime të qarta. Është detyrë e vështirë të gjesh momentin e duhur në të cilin do të duhet të ndryshojmë masat e marra deri tani.

Siç e thatë edhe ju ne do të na duhet të mbajmë maskat për një kohë të gjatë. Kur do të na lejohet sërish të përqafohemi?

Kjo do të jetë një pyetje shumë rajonale. Unë nuk do të çuditesha nëse vitin e ardhshëm pjesë të ndryshme të botës të jenë me popullsi të mbrojtur. Kjo do të thotë se ata do ta kenë kapërcyer epideminë, që për shkak të strukturës së moshës, nuk ka qenë epidemi e rëndë. Në Afrikë për shembull mund të ndodhë kështu. Në pjesë të tjera të botës në të cilat koncepti është që duhet penguar përhapja e virusit dhe duhet pritur futja e vaksinës, mund të presim që maskat të mbahen deri në fund të vitit 2021. Është e pamundur të bësh parashikime të sakta, por viti i ardhshëm do të jetë një vit në të cilin do të na duhet të mbajmë maska.

Intervistën e zhvilloi Nina Haase/ Prof. Dr. Christian Drosten është drejtor i Institutit për Virologjinë në spitalin Charité të Berlinit. Në vitin 2003 ai ka qenë një nga zbuluesit e virusit të parë SARS të koronës. Në vitin 2020 ai prodhoi analizën e parë diagnostikuese të SARS-CoV-2.

Artikulli i mëparshëmZogjtë e ngordhur “përmbytin” shtetin amerikan, arsyeja është një mister
Artikulli i radhës‘Pse më sheh shtrembër’, ja pse nisi ‘lufta’ me 1 të vdekur e 2 të plagosur në Durrës