Anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri ruajnë fuqinë punëtore pavarësisht sfidave të COVID-19

0

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) zhvilloi javën e kaluar një anketim me një bazë të gjerë të anëtarëve të saj, për të matur ndikimin e COVID-19 në fuqinë punëtore. AmCham përfaqëson 224 kompani me një total prej 38,000 të punësuarish, të cilët raportuan 464 pushime nga puna, që përfaqësojnë 1.9% të fuqisë ekzistuese të punës.

175 kompani ose 78% e bazës së anëtarëve të AmCham morën pjesë në studim – një normë kjo jashtëzakonisht e lartë e përgjigjes – duke reflektuar shqetësimin e tyre gjatë krizës. Nga 175 kompani pjesëmarrëse, 30 kompani (17%) kanë zbatuar tashmë disa shkurtime pune gjatë periudhës Mars – Prill, ndërkohë një shumicë e madhe (83%) po i mban të gjithë punonjësit. Ndikimi ndryshon në varësi të sektorit, por një ndikim më të madh kanë sektorët e turizmit, ndërtimit, shërbimeve dhe transportit.

Një numër i konsiderueshëm i anëtarëve deklaruan një gatishmëri për të mbrojtur punonjësit, duke i parë ata si kapital i çmuar njerëzor. Anëtarët e AmCham konfirmuan se do t’i konsiderojnë pushimet nga puna vetëm si masë e fundit.

Por ndërkohë përfaqësuesit e kompanive shprehën shqetësimin për të ardhmen e afërt. Rreth 16 kompani të tjera (9%) po planifikojnë gjithsej 666 pushime nga puna (2.7%) në 2 muajt e ardhshëm, nëse situata nuk përmirësohet.

Nëse zbatohet, këto shkurtime do të rrisnin numrin e përgjithshëm të humbjeve të vendeve të punës për anëtarët e AmCham në rreth 4.6% të forcës së punës të kombinuar. Asnjë nga kompanitë nuk raportoi plane të menjëhershme për të deklaruar falimentim.

Dhoma e Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka qenë në komunikim të rregullt me anëtarët e saj për të identifikuar sfidat me të cilat përballen si rezultat i krizës COVID-19. Reagimet e anëtarëve kanë bërë që AmCham të bëjë rekomandime mbi politikat e Qeverisë Shqiptare. AmCham do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe do të nxjerrë përditësime periodike.

Artikulli i mëparshëmRama sqaron vonesat për ‘pagat e luftës’: Tatim-fitimi për bizneset e vogla është falur
Artikulli i radhësKylie Jenner pa make-up dhe zbathur në rrugët e Beverly Hills