Facebook Inc. është vënë sërish nën akuzë për përgjimin e mundshëm të përdoruesve të Instagram, kësaj here nëpërmjet përdorimit të paautorizuar të kamerave të tyre të celularëve.
Akuza merr shkas nga lajme të publikuara në media në korrik, sipas të cilave aplikacioni për ndarjen e fotove duket sikur kishte akses te fotokamerat e iPhone edhe kur ato nuk përdoreshin në mënyrë aktive.
Facebook i mohoi akuzat dhe tha se një bug (defekt), të cilin do ta zgjidhë, ka shkaktuar ato që rrjeti social i cilësoi si sinjalizime të rreme që Instagram po përdorte fotokamerat i iPhone.
Në akuzën e paraqitur të enjten në Gjykatën Federale në San Francisco, New Jersey, përdoruesi i Instagram, Brittany Conditi, pretendon se përdorimi i fotokamerës nga ana e aplikacionit është i qëllimshëm dhe me synimin e “mbledhjes së të dhënave fitimprurëse dhe të vlefshme nga përdoruesit, në të cilat përndryshe nuk do të kishte qasje në to”.
Duke marrë “të dhëna personale, jashtëzakonisht private dhe intime mbi përdoruesit e saj, duke përfshirë edhe privatësinë në shtëpinë e tyre, Instagram dhe Facebook janë në gjendje të mbledhin “informacione të çmuara dhe kërkime tregu” – sipas akuzës.
Facebook refuzoi të komentojë.
Në një padi të ngritur muajin e kaluar, Facebook u akuzua për përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës për të mbledhur në mënyrë të paligjshme të dhëna biometrie të më shumë se 100 milionë përdoruesve në Instagram. Facebook e mohoi pretendimin dhe tha se Instagram nuk e përdor teknologjinë e njohjes së fytyrës.