SPAK ka konfiskuar 40% të pasurive të vëllezërve Kelmend dhe Bashkim Balili. Kelmend Balili është i dënuari i famshëm i njohur si “baroni i drogës” ose ‘Eskobari i Ballkanit’. Konfiskimi i pasurive të subjektit Kelmend Balili, sipas SPAk, është bazuar në ligjin Antimafia.40% e pasurive do të kalojnë në favor të shtetit.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se, bazuar në përcaktimet e ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurive”, (i ndryshuar), ka kryer hetim financiar mbi pasuritë e shtetasve Kelmend dhe Bashkim Balili, si dhe të shoqërisë “Balili & Co” shpk.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pas kërkesës për konfiskim të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme për konfiskim, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.18, datë 21.09.2020, vendosi :
Konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit në pjesë ideale 40% të pasurive si më poshtë :
Truall me sipërfaqe 11.994 m2, ndodhur në qytetin e Sarandës në emër të “Balili % CO” shpk.
Objekti “Ish – Kampi i Pushimit të Punëtorëve, 4 + 1 kate, me sipërfaqe ndërtimi 1923 m2 dhe sipërfaqe trualli 13.000 m2, ndodhur në qytetin e Sarandës në emër të “Balili % Co” shpk.
Truall me sipërfaqe 1716.91 m2, ndodhur në qytetin e Sarandës në emër të “Balili % Co” shpk.
Konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit në pjesë ideale 40% të pasurive të ndodhura në qytetin e Sarandës në emër të shtetasit Bashkim Balili si më poshtë:
Apartament me sipërfaqe 53.5 m2
Apartament me sipërfaqe 67 m2
Apartament me sipërfaqe 91 m2
Apartament me sipërfaqe 52.5 m2
Apartament me sipërfaqe 57 m2
Apartament me sipërfaqe 52.5 m2
Apartament me sipërfaqe 57 m2
Apartament me sipërfaqe 67 m2
Apartament me sipërfaqe 42.5 m2
Apartament me sipërfaqe 67 m2
Apartament me sipërfaqe 42.5 m2
Njësi me sipërfaqe 120 m2
Apartament me sipërfaqe 42.5 m2
Apartament me sipërfaqe 42.5 m2
Apartament me sipërfaqe 66 m2
Apartament me sipërfaqe 67 m2
Apartament me sipërfaqe 72.5 m2
Për administrimin dhe përdorimin e pronave të konfiskuara gjykata ka ngarkuar Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë, ” përfundon njoftimi i SPAK-ut.
PROCEDIMI PENAL QE NISI ME 3 PRILL 2016
Policia e Shtetit ka regjistruar në datën 3 prill 2016 procedimin penal me nr.44 për trafikim lëndësh narkotike për grupin e njohur si Balili me aktivitet kriminal kryesisht në jug të vendit. Paralelisht me procedimin për trafik narkotikësh, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, ka investiguar dhe përcjellë në vazhdimësi të dhëna mbi pasuritë e anëtarëve të dyshuar të këtij grupi, të cilat dyshohet se janë vendosur nga aktivitet kriminal.
Mbi bazën e këtij materiali, Prokuroria për Krimet e Rënda ka regjistruar procedimin pasuror nr.5, të vitit 2017, për hetim pasuror për gjithë lidhjet familjare të grupit “Balili”.
Mbi bazën e këtij materiali policor, bazuar në ligjin nr.10192, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafkimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masa parandaluese kundër pasurisë”, (i njohur si ligji “Antimafia”), Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosjen nën sekuestro të aseteve.
Policia e Shtetit ekzekutoi në 2017-ën, vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të pasurive në emër të Kelmend dhe Bashkim Balilit, që janë:
– Ish-kampi i Pushimit të Punëtorëve në Sarandë, aktualisht Hotel Santa Quaranta;
– 28,690 m2 truall;
– 36 apartamente e njësi shërbimi, me rreth 2.178 m2 sipërfaqe.
Këto pasuri të sekuestruara u administruan dhe përdorën nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Grupi Balili, sipas Policisë, është një nga grupet kryesore të skeduara nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit Forca e Ligjit që ka për objekt edhe goditjen e pasurive apo aseteve me burim kriminal.