Shefi i shëndetësisë lavdëron luftën e Afrikës kundër COVID-19, tregon edhe “arsyet që ndihmuan në frenimin e përhapjes së koronavirusit”

0

Kreu i Qendrave Afrikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) ka lavdëruar shtetet afrikane për arritjen e frenimit të përhapjes së coronavirusit.

Sipas mediave të huaja, Afrika ka parë rreth 1.4 milion raste dhe 34,000 vdekje që nga marsi.

Dhe këto shifra janë shumë më të ulëta se ato në Evropë, Azi ose Amerikë, me rastet e raportuara që vazhdojnë të bien.

Ndërhyrjet e hershme luajtën një rol vendimtar në frenimin e përhapjes së virusit, tha kreu i CDC në Afrikë, John Nkengasong, për programin Newsday të BBC.

CDC e Afrikës është agjencia shëndetësore e Unionit Afrikan me 55 anëtarë (AU).

Kontinenti me më shumë se një miliard njerëz përbën pak më shumë se 5% të rasteve në të gjithë botën dhe 3.6% të vdekjeve.

Dr, Nkengasong i përshkroi si sugjerime “të rreme” se rastet dhe vdekjet në Afrikë ishin nën-raportuar në mënyrë të konsiderueshme.

“Ne mund të mos kemi regjistruar të gjitha rastet, ashtu si në pjesë të tjera të botës… por nuk po shohim njerëz rreth kontinentit të bien të vdekur në rrugë ose varrime masive”, tha Dr Nkengasong.

Të gjitha shtetet afrikane prezantuan një sërë masash për të trajtuar virusin sapo u raportuan rastet e para në mars.

Shumë vende, përfshirë Afrikën e Jugut, vendosën bllokime mbarëkombëtare, por të tjerë si Etiopia zgjodhën masa më pak të rrepta.

Dr Nkengasong, megjithatë, ia atribuoi numrin e ulët një “përpjekjeje të përbashkët kontinentale”, e cila u përqëndrua në “shkallëzimin e testimit dhe ndjekjen e gjurmimit të kontaktit dhe vendosjen e maskave të fytyrës”.

“Në shumë vende, përfshirë Etiopinë ku unë jetoj, nëse shkoni në rrugët e Addis Ababa do të shihni se pothuajse 100% e njerëzve kanë maskë”, shtoi ai.

Artikulli i mëparshëmFauci: Duhet të vaksinohet 75% e popullsisë së botës për të ndaluar përhapjen e COVID-19
Artikulli i radhësHakerët rusë spiunojnë agjencitë qeveritare me një kurs trajnimi të rremë të NATO-s