5 orët e terrorit/ Si u ekzekutua 71-vjeçari i ngujuar në shtëpi pas sherrit me gruan

0

Sherri mes 71-vjeçarit Lefter Zhidru dhe gruas së tij 40-vjeçare ka nisur pas pretendimeve se ajo e tradhëtonte. Të paktën këto kanë qenë deklaratat fillestare të saj para policëve, me të cilët ka komunikuar në gjendje të rënduar, për shkak të presioneve nga bashkëshorti brenda në banesë. Gjithçka nisi si një kallëzim i rëndomtë për një sherr brenda familjes për t’u shndërruar më pas në një histori që mbajti nën tension qindra banorë të lagjes 11-Nëntori në Elbasan.

Ngjarja nisi rreth orës 13:00 në banesën e çiftit. Ka qenë bashkëshortja ajo e cila ka njoftuar policinë pasi kishte dalë pa u lënduar nga banesa. Por kur policët kanë tentuar të marrin në pyetje Lefter Zhidrun ata janë përballur me breshëri armësh që plagosën dy të rinj, kalimtarë të rastit.

Të rinjtë u dërguan menjëherë në spital dhe policia u bë gati të përballej me një situatë të pazakontë, pasi nga banesa vinin vazhdimisht të shtëna. Pak pas mesditës, zona u rrethua nga forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA.

Fillimisht është ngushtuar rrethimi i 71 vjeçarit dhe është bërë evaukimi i zonës. Gruaja ka dhënë informacion për forcat speciale, kur i ka njoftuar se Lefter Zhidru kishte në shtëpi një arsenal municionesh dhe situata mund të përshkallëzohej. Pikërisht për këtë ndërhyrja është konsideruar delicate dhe RENEA janë kujdesur të jenë të matur në negociata me 71 vjeçarin.

Disa herë ai është telefonuar nga familjarët e tij, ndërsa nuk ka pranuar të flasë me policinë. Për ta bindur të dorëzohej është përdorur vajza e tij 13-vjeçare e cila i është lutur të atit të lejonte policinë të futej në shtëpi dhe të ndalte të shtënat.

Pavarësisht kësaj, për gati 5 orë nga shtëpia ku ishte ngujuar, Lifter Zhidru nuk i ka ndalur për asnnjë moment breshëritë e armëve.

Burime nga policia thanë se gjatë komunikimeve që zgjatën disa orë, Zhidru ka kërkuar vetëm të shohë djalin e tij, nga martesa e mëparshme. Fqinjët kanë treguar se Zhidru nuk ishte tip social dhe kjo ishte martesa e tij e tretë. Në negociata me policinë, djali ishte i vetmi që kërkoi ndërsa qëllonte nga dritarja e banesës së tij.

Komunikimi me të birin ka qenë i pamundur pasi ky jetonte jashtë, por policia ka mundur të kontaktojë me një nga vajzat e tij, një 13 vjeçare e cila nuk ka mundur ta bindë të zbresë.

“Pas 5 orë negociatash, fillimisht nga Policia Vendore e Elbasanit dhe më pas nga grupi negociator i Renas dhe i grupeve taktike të Reneas me shtetasin Lefter Zhidru, për t’u dorëzuar, ky shtetas nuk i është bindur në asnjë çast thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar, por ka reaguar me armë ndaj grupit negociator dhe grupeve taktike të Reneas që po negocionin me të.
Ndodhur në kushtet e mosbindjes për t’u dorëzuar, forcat speciale Renea kanë ngushtuar rrethimin e banesës ku ndodhej 71-vjeçari. Shtetasi Lefter Zhidru, kur ka parë që forcat Renea po i afroheshin derës së banesës, ka hapur përsëri zjarr në drejtim të Policisë. Në kushte të larta sigurie për jetën e punonjësve të Policisë, Renena i ka bërë përsëri thirrje për të hapur derën dhe t’i dorëzohej Policisë, por përsëri 71-vjeçari ka reaguar me armë dhe në këto kushte Renea ka shpërthyer derën për të hyrë në banesë.

Në momentin që forcat speciale Renea po ndërhynin në banesë 71-vjeçari ka sulmuar përsëri me breshëri plumbash Forcat Renea duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre, por falë mburojës metalike kolektive nuk është lënduar ansjë punonjës i Reneas. Në kushtet e vetëmbrojtjes forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur më zjarr dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, 71-vjeçari ka mbetur i vrarë” tha policia, që si rrallëherë ka dhënë informacione të hollësishme për aksionin.

Si provë se në momentin kur kanë tentuar të hyjnë në banesë, forcat e RENEA-s janë qëlluar me armë është shpërndarë foto e mburojës së tyre, ku duken qartë shenjat e breshërive të plumbave.

Në banesën e 71 vjeçarit policia tha se gjeti një arsenal armësh. Përveç Kallashnikovit u gjetën edhe kallëpe me lëndë plasëse, të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim.

Artikulli i mëparshëm“Turistja Kim”: ‘Basha dhe Rama janë përgjegjës për shkeljen që Rama i bëri marrëveshjes’
Artikulli i radhësIGJEUM paralajmëron përmbytje në Shkodër