BIRN: “Fasoneritë, minë me sahat e paralajmëruar”. Punonjësit vazhdojnë të transportohen në autobusë të tejmbushur

0
Dbc 1288 600x400

Me 25 raste të reja, Kruja dhe Kurbini ishin të martën të vetmet qendra aktive të epidemisë së koronavirusit SARS-CoV-2 në Shqipëri. Dy qytetet dhe fshatrat rreth tyre numërojnë së bashku 67 raste të konfirmuara me COVID-19, pjesa dërrmuese e të cilave lidhen me fabrikën e këpucëve “Endi” sh.p.k në Krujë, e cila sipas autoriteteve ka qenë në punë deri më 15 prill, ditën kur u identifikua punonjësja e parë e infektuar.

“Vatra më e madhe e infeksionit është pikërisht fasoneria,” tha Drini Masha, përfaqësues i Bashkisë së Krujës.

Të njëjtën gjë pohuan edhe zyrtarë të Shëndetit Publik në Kurbin, ku prej së premtes deri të martën u shënuan 27 raste të reja me COVID-19. David Malçi, drejtor i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Kurbin i tha BIRN se thuajse të gjitha rastet në këtë qytet ishin punonjës të fasonerisë në Krujë dhe familjarë të tyre.

Të hënën, autoritetet njoftuan mbylljen e 6 fasonerive në zonën e Krujës, ndërsa rezultoi se të paktën në një rast, persona nga e njëjta familje e prekur punonin në dy ndërmarrje të ndryshme.

Autoritetet po ashtu pretenduan rritje të inspektimeve dhe masa të shtuara higjiene në 13 fasoneritë e tjera ku vazhdohet puna, por një zyrtar lokal i tha BIRN në kushte anonimati se situata vazhdon të jetë shqetësuese, pasi dhjetëra punëtorë transportohen me autobusë në punë dhe se distancimi “ishte i pamundur”.

Një punëtore e fasonerisë, ku rezulton numri më i lartë i rasteve me COVID-19 i tha BIRN se ruajtja e distancave gjatë procesit të punës kishte qenë gjithashtu e pamundur.

“Masat kanë qenë marrë deri diku. Na kontrollonin në mëngjes kur hynin brenda, si dhe na kanë pajisur me maska dhe doreza,” tha gruaja që nuk pranoi të identifikohej me emër, ndërsa shtoi se ishte e frikësuar dhe ishte izoluar nga anëtarët e tjerë të familjes.

“Por ruajtja e distancës ishte problem, se aty brenda jemi shumë punonjës dhe në tavolina na takonte mos ta ruanim distancën,” theksoi ajo.

Një nga ortakët e fasonerisë “Endi” sh.p.k, Luan Pistolja i tha BIRN se nuk e kuptonte si kishte ndodhur infektimi në ndërmarrje, ndërsa shtoi se ishte përpjekur që t’i mbronte punëtorët.

“Unë i kam ruajtur me sa kam pasur mundësi,” u shfajësua ai.

Opozita dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve kishin paralajmëruar mundësitë e shpërthimit të virusit në ‘fasoneri’ dhe ‘call-center’; të dyja aktivitete ku puna zhvillohet në salla të mëdha me dhjetëra punëtorë që ndajnë tavolinat apo mjetet e punës me njëri-tjetrin.

Por qeveria është mjaftuar vetëm me masa të distancimit të vendeve të punës në të dy aktivitetet, ndërsa nuk u ka mundësuar punonjësve trajtim ekonomik, për sa kohë që këto aktivitete kanë qenë të hapura.

Megjithëse zyrtarisht nuk ka informacion për t’i ndarë infektimet sipas vendeve të punës, disa dhjetëra prej rasteve të konfirmuara vijnë prej punëtorëve në këto dy aktivitete dhe vetëm rastet e identifikuara në Krujë dhe Kurbin përbëjnë 10% të personave që kanë testuar pozitiv për koronavirusin në të gjithë vendin.

Ndërkohë Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor i tha BIRN se deri tani ka kërkuar pezullimin e punës në dy kompani fasone për shkak të indetifikimit të rasteve pozitive me COVID-19.

Infektim i paralajmëruar

Kruja ishte një ndër zonat e para të prekura me COVID-19 në vend, pasi 6 raste u identifikuan në fshatin Borizanë në një familje. Por rasti u izolua dhe pas disa javësh, qyteti nuk raportoi më raste të reja të infektuara.

Kjo situatë zgjati deri më 15 prill, kur në një prej 20 fasonerive që veprojnë në këtë bashki, u identifikua një rast i ri me COVID-19. Në pak ditë, numri i të infektuarave në fasonerinë në fjalë u rrit me 45 persona.

Sipas autoriteteve, e njëjta vatër mendohet të ketë përhapur sëmundjen edhe në rrethin fqinj të Kurbinit, prej të cilit dhjetëra gra udhëtojnë me autobusë për të punuar në fasoneritë e Krujës.

Mundësitë e një shpërthimi të tillë ishin paralajmëruar. Në një deklaratë për shtyp më 17 prill, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e akuzoi qeverinë se kishte refuzuar të mbyllte fasoneritë pavarësisht rrezikut për t’u kthyer në vatra infektimi, ndërsa e cilësoi përhapjen e virusit mes punëtorëve të fasonerive si një kambanë alarmi.

“Është përgjegjësi e qeverisë që të ndalojë përhapjen e virusit te qytetarët,” shkroi Basha, ndërsa këmbënguli në mbylljen e fasonerive dhe bizneseve me përqendrim punëtorësh, ndërsa kërkoi dhënien e ndihmës ekonomike për punëtorët e këtyre bizneseve.

Organizata Politike – e cila ka aktivitet në mbështetje të sindikatave dhe punëtorëve, po ashtu e pati akuzuar qeverinë se duke lejuar vijimin e punës në fasoneri dhe ‘call center’, po rrezikonte seriozisht jetën e punëtorëve.

Alfred Bushi, një aktivist i OP-së i tha BIRN në një bisedë telefonike se pretendimet që kushtet e punës në fasoneri dhe ‘call center’ ishin përmirësuar nuk ishin të vërteta.

“Ne dimë nga punëtorët e fasonerive që flasim, se masat e sigurisë dhe të higjienës janë zero,” tha ai.

Bushi shtoi se punëtorët e këtyre ndërmarrjeve që ishin pezulluar nga puna apo që nuk kishin shkuar për shkak të frikës, kishin mbetur po ashtu pa ndihmë ekonomike nga qeveria. Bushi e konsideroi këtë në shkelje të akteve normative të qeverisë, që i kërkonin bizneseve të aplikonin në mënyrë që punonjësit të paguheshin me asistencën e nevojshme.

“Ne kërkojmë që të ndërpritet puna brenda fasonerive, pasi janë vatra shumë të rrezikshme për përhapjen e koronavirusit,” tha Bushi, duke këmbëngulur që punëtorët e këtyre ndërmarrjeve të ndihmoheshin nga qeveria.

Edhe Luan Pistolja e pranoi se punëtorët që nuk janë paraqitur në punë për shkak të frikës, nuk do paguheshin, edhe pse frika e tyre duket se ka qenë racionale.

“Nuk kam detyruar njeri të vijë në punë me zor, i kam thënë mos ejani po patët frikë, merrni asistencën,” tha ai. “Kush nuk ka ardhur, nuk është paguar, sepse nuk ka kuptim, ankohen ata që po vijnë në punë pastaj, nuk mund të trajtohen njësoj,” shtoi Pistolja.

Irena Gjoka, përgjegjëse e Sektorit të Inspektimit të Sigurisë në Punë në Inspektoratin e Punës në Durrës i tha BIRN se paga ishte problemi kryesor në denoncimet që merrnin nga punëtorët e këtij sektori.

“Kryesisht ankesat janë për çështje ekonomike, si marrja e pagës,” tha Gjoka, ndërsa shtoi se për moszbatim të masave ndaj COVID-19, disa aktivitetet ishin pezulluar.

Nga ana e tij, Pistolja tha se kishte marrë masa të mjaftueshme. Ai madje dha një datë të ndryshme të mbylljes së aktivitetit dhe pretendoi se gruaja e infektuar, nuk kishte qenë në punë prej disa ditësh. Megjithatë, qoftë bashkia e Krujës dhe qoftë Policia konfirmuan për BIRN se puna në këtë fasoneri këpucësh ishte mbyllur vetëm pas identifikimit të rastit të parë më 15 prill.

Masat pas shpërthimit

Një zyrtar i bashkisë së Krujës, i cili kërkoi të mbetej anonim sepse nuk ishte i autorizuar të fliste me median, i tha BIRN se “situata ishte alarmante.”

“Problemi i fasonerive është se vatra zgjerohet shumë në territor, pasi aty vijnë nga e gjithë zona, pra nga çdo njësi administrative,”tha zyrtari. “Rastet në Kurbin për shembull lidhen me fasonerinë e Krujës,” shtoi ai.

Po ashtu, zyrtari tha se ishte i shqetësuar prej faktit se vetëm një pjesë e ndërmarrjeve ishin mbyllur. Sipas tij, pavarësisht masave që mund të merreshin për të krijuar distanca në vendin e punës, punonjësit e fasonerive udhëtonin ndonjëherë edhe mbi një orë në autobusë të tejmbushur dhe mundësitë për të ndaluar përhapjen në një proces pune zinxhir ishin minimale.

Zyrtarisht, autoritetet thonë se kanë shtuar masat pas shpërthimit të infektimeve dhe kërkuan që qytetarët të ishin të qetë. Përfaqësuesi i bashkisë Krujë, Drini Masha i tha BIRN se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kishin marrë masa shtesë parandaluese.

“Në qytet bëhet në vazhdimësi dezinfektimi si dhe mbajmë nën monitorim të vazhdueshëm lëvizjet e qytetarëve, me qëllim që të mos të ketë grumbullime si dhe të ruhet distancimi social si masë parandaluese për mospërhapjen e sëmundjes,” tha ai.

“Po ashtu, të gjitha zonat ku jetojnë të infektuarit në fshatra janë dezinfektuar, pas identifikimit të çdo rasti,” shtoi Masha.

Rastet e shtuara kanë vënë në lëvizje edhe pushtetin vendor në Kurbin, i cili ka shtuar masat për mbrojtjen nga koronavirusi i ri.

“Rastet e identifikuara me COVID-19 në Kurbin në këto ditë janë një lajm i keq për të gjithë, por që nuk duhet kurrsesi të na demoralizojë,” tha kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara.

Cara foli për shtim të menjëhershëm të masave në tregje, të tilla si vendosja e sinjalistikës, distancës së sigurisë dhe tunelit të dezinfektimit. Cara tha se dizinfektimi i rrugëve dhe mjediseve publike po bëhej në mënyrë të vazhdueshme. Po ashtu, po vëzhgoheshin qytetarët e karantinuar që të mos dilnin nga shtëpitë.

Megjithatë, të martën Policia e Durrësit njoftoi se tre persona ishin gjobitur në Krujë sepse kishin shkelur urdhrin për karantinim. Policia tha se të tre të gjobiturit ishin punonjës të fasonerisë së mbyllur më 15 prill. Dy prej tyre në fshatin Borizanë dhe një tjetër në Fushë Krujë.

Opozita ndërkohë i kërkoi qeverisë që të shtonte testimet në dy zonat si dhe në fasoneri të tjera, ku kishte pasur sinjalizime për të sëmurë. Por numri i personave që mund të testohen në të dy qytetet nuk është i madh, për shkak se siç mësoi BIRN, ato kanë pak punonjës të shëndetit publik dhe nuk mund të bëheshin më shumë teste.

Sipas të dhënave nga zyrtarë të Shëndetit Publik në Kurbin, numri i testimeve ka qenë i kufizuar. Megjithatë, deri të hënën ishin bërë 40 teste dhe gati një në dy të testuar kishte rezultuar pozitiv.

“Gjatë 3 ditëve kemi marrë 40 tampone dhe 19 prej tyre kanë rezultuar pozitiv,”tha David Malçi, drejtor i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Kurbin.”18 të infektuar janë punonjëse të fasonerisë dhe 1 tjetër është burri i njërës prej tyre,” shtoi ai.

Pronari i fasonerisë “Endi” sh.p.k, Luan Pistolja i tha BIRN se kishte kërkuar nga autoritetet që të testoheshin të gjithë punonjësit dhe se ai ishte në gjendje të paguante kostot për testimin.

“I thirra të Shëndetësisë e i thashë ku bëhen tamponët, se i paguaj unë të gjitha, t’i kontrollojmë një e nga një që të jem edhe vetë i qetë. Ia paguaj secilës, 100 euro sa bën, vetëm të kontrollohen e të jem i qetë,” tha ai.

Pistolja pretendoi se ka qëndruar edhe vetë në mjediset e punës dhe se ishte testuar privatisht dhe kishte  rezultuar negativ. Ndërkohë, numri i kufizuar i testimeve të bëra i ka futur në ankth punonjësit që ende nuk e dinë nëse janë apo jo të prekur si kolegët e tyre.

“Unë mundohesha në maksimum të tregohesha e kujdesshme dhe të ruaja veten,” tha  gruaja nga Kurbini, punonjëse e fasonerisë ku shpërtheu epidemia.

“Deri tani s’më kanë bërë tamponin, sepse nuk kam shfaqur shenja, por e frikësuar jam shumë,” përfundoi ajo./BIRN

Artikulli i mëparshëmMeta: Drejtësia të flasë konkretisht lidhur me tenderat sekret të denoncuar nga PD
Artikulli i radhësJa me se duhet të keni kujdes kur bëni blerje online