Koronavirusi transmetohet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë person me person, nga njerëzit që janë afër njëri-tjetrit (më pak se 2 metra ). Njerëzit që janë të infektuar, por nuk kanë simptoma, gjithashtu mund të transmetojnë virusin, sipas mjekëve të Shkollës Mjekësore Kombëtare dhe Universitetit Kapodistrian të Athinës, raporton protothema.
Koronavirusi transmetohet shumë më lehtë nga personi në person dhe madje transmetohet më lehtë se gripi, por jo aq lehtë sa fruthi, i cili është një nga viruset më ngjitës të njerëzimit.
Koronavirusi zakonisht transmetohet përmes kontaktit të ngushtë. Personat që janë afër (më pak se 2 metra) me dikë i cili është i infektuar ose nëse kanë kontakte të drejtpërdrejta me atë person rrezikojnë më shumë nga Covid-19.
Kur personat e infektuar me koronavirus kolliten, teshtijnë, këndojnë, flasin ose marrin frymë, ata prodhojnë pikla të frymëmarrjes. Infektimi me Covid-19 është kryesisht rezultat i ekspozimit ndaj piklave të frymëmarrjes.
Piklat e frymëmarrjes të cilat depozitohen te mukoza, të tilla si brenda hundës dhe gojës, shkaktojnë infektimin me Covid-19, transmeton abcnews.al
Distanca është thelbësore, pasi në këtë mënyrë arrijmë të shmangin infektimin nga piklat e frymëmarrjes. Piklat më të mëdha bien nga ajri për shkak të gravitetit. Piklat dhe grimcat më të vogla shpërndahen në ajër. Me kalimin e kohës, sasia e virusit në piklat e frymëmarrjes zvogëlohet.
Covid-19 ndonjëherë mund të transmetohet edhe nga ajri. Disa raste ndodhin nga personi në person përmes ekspozimit ndaj piklave të vogla dhe grimcave që mbartin një ngarkesë virale dhe mund të qëndrojnë në ajër për disa minuta.
Këto viruse mund të jenë në gjendje të infektojnë njerëzit edhe nëse ndodhen më shumë se 2 metra larg personit të infektuar. Ky lloj transmetimi quhet transmetim përmes ajrit dhe është mënyra kryesore e përhapjes së infeksioneve të tilla si tuberkulozi, fruthi dhe lia.
Ka prova që në kushte të caktuara, njerëzit me COVID-19 kanë infektuar persona edhe pse kanë qenë më shumë se 2 metra larg.
Raste të tilla janë raportuar në ambiente të mbyllura me ventilim të pamjaftueshëm. Në këto kushte, shkencëtarët besojnë se sasia e mikro piklave infektive dhe grimcave nga njerëzit me COVID-19 është e mjaftueshme për të përhapur virusin tek njerëzit e tjerë.
Megjithatë: COVID-19 transmetohet më rrallë përmes kontaktit me sipërfaqet e infektuara. Piklat e frymëmarrjes gjithashtu mund të qëndrojnë në sipërfaqe dhe objekte. Ekziston mundësia që një person të infektohet duke pasur kontakt me SARS-CoV-2 duke prekur një sipërfaqe ose objekt dhe më pas të infektohet duke prekur gojën, hundën ose sytë e tij. Sidoqoftë, kjo mënyrë transmetimi nuk është e shpeshtë.
COVID-19 transmetohet rrallë midis njerëzve dhe kafshëve. Rastet e izoluara të transmetimit të SARS-CoV-2 nga njerëzit te kafshët shtëpiake, kryesisht macet dhe qentë, janë raportuar pas kontaktit të ngushtë me individë me COVID-19. Kjo është arsyeja pse këshillohet të tregohet kujdes në momentin që keni kontakt me kafshë shtëpiake. Rreziku i përhapjes së COVID-19 nga kafshët tek njerëzit konsiderohet i ulët.
Mbroni veten dhe të tjerët
Mënyra më e mirë për të parandaluar infektimin me Covid-19 është të shmangni sa më shumë ekspozimin ndaj tij. Disa hapa për të parandaluar zinxhirin e transmetimit.
1.Është e rëndësishme të mbajmë distancën të paktën 2 metra, kur është e mundur. Është një masë parandaluese shumë e rëndësishme.
2. Duhet të mbajmë maskë kur jemi afër të personave të tjerë. Kjo ndihmon në uljen e rrezikut të përhapjes si nga kontakti i ngushtë ashtu edhe nga transmetimi përmes ajrit.
3.Duhet të lajmë duart shpesh me ujë dhe sapun. Nëse nuk kemi sapun atëherë përdorni një dezinfektues që përmban të paktën 60% alkool.
4.Shmangni ambientet e mbushura me njerëz, sigurohuni që zonat e mbyllura të ajrosen. Në përgjithësi, ambientet e jashtme dhe vendet e ajrosura mirë zvogëlojnë rrezikun e ekspozimit ndaj piklave.
5.Duhet të qëndrojmë në shtëpi dhe të izolohemi nga të dashurit tanë nëse sëmuremi.
6.Duhet të pastrojmë dhe dezinfektojmë rregullisht sipërfaqet që prekim shpesh. (abcnews)