Në rast se sezoni futbollistik do të ndalet për shkak të koronavirusit, vendet e klubeve për në veprimtaritë europiane do të përcaktohen në bazë të meritës sportive. Unioni Europian i Federatave të Futbollit (UEFA), ka vendosur të sqarojë njëherë e përgjithmonë shqetësimin e madh të ligave kombëtare, që e kanë ndërprerë aktivitetin që prej mesit të muajit mars.
Procedura e zgjedhjes së klubeve që do të kualifikohen për në Ligën e Kampioneve dhe në Ligën e Europës, do të përcaktohen “në bazë të disa kritereve objektive, transparente dhe jo diskriminuese”, ka vlerësuar UEFA, që gjithsesi nuk heq dorë nga qëndrimi i saj: kampionatet duhen luajtur deri në fund.