OBSH rrëzon vendimin e Ramës për maskat me detyrim: Si masë e vetme, nuk na mbron nga COVID-19

0

Organizata Botërore e Shëndetësisë flet ekskluzivisht për SYRI TV në lidhje me vendimin e qeverisë Rama për të mbajtur maskat në çdo ambient publik.

Në përgjigje të interesit të gazetares së SYRI TV, Mariela Shkurta, institucioni më i lartë shëndetësor shprehet se nga OBSH rekomandohet që maskat të mbahen në hapësira publike ku distanca fizike është i pamundur të mbahet.

Por, përtej kontekstit se ku vihen ato, maska si masë e vetme parandaluese nuk na mbron nga COVID-19.

“Ne duhet të bëjmë të pamundurën për të minimizuar rrezikun e përhapjes së COVID-19 dhe për të shkëputur hallkën e çdo zinxhiri të transmetimit.

Në udhëzimet e OBSH-së rekomandohet që maskat të mbahen në hapësira publike ku distanca fizike është e pamundur të mbahet. Por, përtej kontekstit se ku vihen ato, maska si masë e vetme parandaluese nuk na mbron nga COVID-19. Ato janë pjesë e një pakete gjithëpërfshirëse të masave për parandalimin dhe të kontrollin e infeksionit, ku përfshihet edhe higjiena e duarve, mbulimi i gojës gjatë kollitjes apo teshtitjes si dhe distancimin fizik” – thekson OBSH.

Sa i përket masave të marra nga secili shtet, OBSH pohon se udhëzimet janë që masat e marra të jenë në nivelin më të ulët administrativ, por këto varen nga kapacitetet shëndetësore të secilit vend dhe masës së përhapjes.

“OBSH në udhëzimin e saj rekomandon gjithashtu që hapat që duhen ndërmarrë për të përshtatur ose ndryshuar masat e shëndetit publik të zbatohen në rast të nivelit të ulët administrativ. Kjo do të thotë që masat duhet të ndryshohen sipas një përcaktimi specifik dhe të bazuar në kritere specifike të transmetimit, kapacitetin e shërbimit shëndetësor publik dhe, më e rëndësishmja, mbi pranueshmërinë dhe realizueshmërinë në nivelin e bashkësisë lokale”.

Një tjetër udhëzim I rëndësishëm i OBSH-së është gjurmimi i rasteve të infektimit.

“Udhëzimet e OBSH-së thonë se kur është e mundur, individët që kanë shenja dhe simptoma të COVID-19, përfshirë rastet e dyshuara, duhet tu jepet mundësia apo ta kenë të aksesueshëm një të tillë. Është e rëndësishme të grumbullohet informacion mbi numrin e rasteve pozitive, si dhe kriteret e testimit dhe numrin e përgjithshëm të individëve të cilët janë testuar për virusit SARS-CoV-2. Njohja e të dy shifrave mund të tregojë nivelin e aktivitetit të mbikëqyrjes dhe përqindja e testeve pozitive mund të tregojë intensitetin e transmetimit ndërmjet individëve.

Udhëzimi i OBSH-së gjithashtu thotë se nëse ekzistonë mbikëqyrja dhe testimet gjithëpërfshirëse të rasteve të dyshuara (në rendin e 1/1000 banorë/ javë), atëherë përqindja e mostrave pozitive mund të përdoret për të ndihmuar në vlerësimin nëse epidemia në një vend, apo zonë administrative, është nën kontroll”– shprehet OBSH

Rritja e rasteve të COVID 19 në mbarë botën, sipas OBSH është një situatë e pritshme por vendet duhet të marrin masa për gjurmueshmërinë si dhe rivendosje masash të rrepta nëse është e nevojshme.

“Situata do të vazhdojë të evoluojë në muajt në vazhdim, rreziku i ringjalljes së sëmundjes do të vazhdojë dhe do të duhet të kontrollohet në mënyrë të qëndrueshme përmes zbatimit rigoroz të ndërhyrjeve nga ana e shëndetit publik ndërsa virusi qarkullon midis dhe brenda vendeve. Ne rekomandojmë që qeveria të vazhdojë të testojë, gjurmojë, trajtojë dhe izolojë; monitorimi i rritjes së çështjeve të reja; dhe rivendosjen e masave më të rrepta nëse është e nevojshme, me angazhimin e plotë të komuniteteve. Kritike është gjithashtu përdorimi i të dhënave në kohë reale dhe mirëmbajtja e shërbimeve thelbësore shëndetësore. Sidoqoftë, kjo nuk është një përgjegjësi vetëm e qeverisë. E gjithë shoqëria duhet të jetë pjesë e kësaj përpjekjeje. Është në duart e çdo individi të sigurojë që të gjitha rastet pozitive të gjenden dhe izolohen, dhe që të gjitha kontaktet të gjurmohen dhe karantinohen. Vetëm duke ndërprerë zinxhirin e transmetimit mund të ndalojmë COVID-19. Çdo person duhet të vazhdojë të mbaj pastër duart, të mbulojë gojën gjatë kollitjes, mbajtja e distancës së sigurt nga njerëzit e tjerë dhe – kur kjo nuk është e mundur – të vendosësh një maskë. Ne jemi të sigurtë që këto masa të thjeshta do të na mbajnë ne dhe të dashurit tanë të sigurtë. Është në zërin e çdo ndikuesi dhe gazetari të flasë për faktet, të kuptojë perceptimet e njerëzve dhe të nxisë sjellje që mbrojnë. Kjo kërkon angazhimin e gjithë shoqërisë për shëndetin e gjithsecilit. Dhe për shëndetin si një përcaktues i ekonomisë”– mbyll përgjigjen e saj për SYRI TV Organizata Botërore e Shëndetësisë./syri.net

Artikulli i mëparshëmHetimet për virusin/ Policia kontrollon banesat e ministrit të Shëndetësisë dhe ish-kryeministrit
Artikulli i radhësRama i kënaqur me nivelit e lartë të bindjes së popullit për vendosjen e maskës