‘Në prag të katastrofës’: Si po merr kthesë për të keq lufta e Evropës kundër koronavirusit

0

Nuk është ndonjë fjalë që e kam dëgjuar për një kohë të gjatë”, tha një banore e moshuar në Paris, duke lënë banesën e saj, e veshur me maskë dhe doreza për një ekspeditë të hershme në dyqane. “Një shtetrrethim. Kjo është për kohën e luftës, apo jo? Por në një farë mënyre unë mendoj se kjo është ajo që është tani”.

Vala e dytë e coronavirusit në Evropë mori një kthesë dramatike për keq këtë javë, duke detyruar qeveritë në të gjithë kontinentin të bëjnë zgjedhje të vështira pasi më shumë se një duzinë vendesh raportuan numrin e tyre më të lartë të infeksioneve të reja.

Në Francë, për shembull, shkruan The Guardian, 18 milionë njerëz në nëntë qytete të mëdha rrezikojnë një gjobë nga e shtuna nëse nuk janë në shtëpi deri në orën 21:00.

Në Republikën Çeke, shkollat janë mbyllur dhe studentët e mjekësisë po regjistrohen për të ndihmuar mjekët. Të gjithë baret dhe restorantet holandeze janë të mbyllura.

Gjithashtu Austria, Belgjika, Republika Çeke, Franca, Gjermania, Italia, Holanda dhe Polonia janë midis vendeve që kanë “thyer rekordin për të dhënat ditore të rasteve”, duke bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë të bëjë thirrje për një përpjekje “pa kompromis” për të ndaluar përhapjen.

Fatkeqësisht, kjo kërkon të bëjmë kompromise gati të pamundura.

Kjo pasi që shumica e qeverive evropiane hoqën bllokimet e rrepta gjatë verës për të ringjallur ekonomitë e shkatërruara nga vala e parë e pandemisë.

Por kthimi i aktivitetit normal, përfshirë edhe baret e mbushura, ka nxitur një rritje eksponenciale të infeksioneve.

Me infeksionet në të gjithë kontinentin që “thyejnë kufirin” prej 120,000 në ditë, autoritetet duhet të shtrëngojnë edhe një herë masat për të ngadalësuar përhapjen e sëmundjes – ndërsa bëjnë gjithçka që munden për të shmangur shkatërrimin e vendeve të punës tashmë të rrezikuara dhe të jetesës.

Ata gjithashtu po përballen me sfida ligjore: qeveria holandeze duhet të punojë se si mund t’i bëjë maskat të detyrueshme ndërsa është në përputhje me ligjin dhe një gjykatë e Berlinit pezulloi një urdhër të qytetit që kërkonte që baret të mbylleshin në orën 23:00, për mungesë të provave që do të rezultonte efektive.

Në Francë, e cila raportoi më shumë se 30,000 infeksione të reja të enjten, presidenti Emmanuel Macron tha se ishte i nevojshëm një shtetrrethim për të ndaluar “festat”… Ata përshpejtojnë sëmundjen. Ne duhet të veprojmë”.

Si rezultat, shkruan The Guardian, përcjell Telegrafi, Qeveria do të vendosë 12,000 policë për ta zbatuar atë dhe do të shpenzojë një shtesë prej 1 miliard euro për të ndihmuar bizneset tashmë të goditura në sektorët e argëtimit.

“Ne nuk mund të jetojmë normalisht ndërsa virusi është këtu”, tha kryeministri, Jean Castex.

Si në shumë vende, kapaciteti spitalor dhe veçanërisht i njësisë së kujdesit intensiv ka filluar të bëhet një shqetësim serioz.

Aurélien Rousseau, drejtori i agjencisë së shëndetit publik të rajonit të Parisit, tha se gati gjysma e shtretërve të saj të Kujdesit Intensiv ishin zënë nga pacientët me COVID-19, me shtretër të tjerë spitalorë gjithashtu duke u mbushur me shpejtësi.

Por kambanat e alarmit kanë filluar të bien gjithnjë e më fort edhe në Gjermani, e cila ka një nga të dhënat më të mira të coronavirusit në Evropë, por raportoi më shumë se 6,600 raste në 24 orë të enjten – 300 më shumë se niveli i saj i mëparshëm në fund të marsit.

Kancelarja, Angela Merkel dhe 16 guvernatorët shtetërorë të vendit, të cilët janë përgjegjës për vendosjen dhe heqjen e kufizimeve, ranë dakord të shtrëngojnë rregullat e veshjes së maskave, të detyrojnë baret të mbyllen herët dhe të kufizojnë tubimet në zonat ku shkalla e infektimit është e lartë.

Por Merkel thuhet se donte më shumë, duke argumentuar se reagimi i Gjermanisë në ditët dhe javët e ardhshme do të ishte vendimtar në përcaktimin se sa mirë e kaloi krizën dhe shefi i stafit të saj pranoi se masat “ndoshta nuk do të jenë të mjaftueshme”.

Italia raportoi gjithashtu një rekord 8,800 rastesh të reja të enjten; Roma tashmë ka vendosur rregulla të reja të ashpra, duke përfshirë një fund të festave, mes thashethemeve për një “shtetrrethim” në mbarë vendin, në orën 22:00. Rajoni i Campania-s ka mbyllur shkollat e tij, me Milanon që ka gjasa të ndjekë një gjë të tillë.

Çfarë bie në sy është edhe fakti se edhe vendet që menaxhuan mirë valën e parë po përballen me vështirësi.

Republika Çeke tani ka nivelin më të lartë të infeksionit për frymë të Evropës me 9,720 infeksionesh ditore të enjten dhe po ndërton një spital vetëm për rastet me coronavirus në qendrën e ekspozitës së Pragës.

“Ne duhet të ndërtojmë kapacitete shtesë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha kryeministri çek, Andrej Babiç. “Nuk kemi kohë. Prognoza nuk është e mirë”.

Polonia, gjithashtu, e cila gjithashtu “u kursye” nga një numër i madh i vdekjeve këtë pranverë, regjistroi një rekord prej gati 9,000 rastesh të reja.

Ajo po zgjeron trajnimin për infermierët dhe po planifikon spitale të reja në terren.

“Ne jemi në prag të katastrofës”, tha imunologu Pawe? Grzesiowski.

Në Belgjikë, e cila ka nivelin e dytë më të keq të infeksionit në Evropë për frymë, spitalet janë urdhëruar të rezervojnë një të katërtën e të gjithë shtretërve të tyre për pacientët me COVID-19. “Ne nuk mund ta shohim fundin e tunelit”, tha Renaud Mazy i klinikave Saint-Luc në Bruksel.

Madje, edhe Suedia, qasja anti-bllokim e së cilës ishte vlerësuar si një avantazh, ka rritur mundësinë e kufizimeve më të ashpra.

“Shumë njerëz nuk janë duke ndjekur rregullat”, tha kryeministri, Stefan Löfven. “Nëse nuk ka korrigjim, do të duhet të shtrëngojmë masat”.

Rreziqet sigurisht që janë të larta.

Guvernatori i Bavarisë, Markus Söder, tha troç se “prosperiteti i Evropës është në rrezik”.

Por ndërsa paralajmëroi se pa kundërmasa, vdekjet e përditshme të coronavirusit në Evropë mund të arrijnë katër ose pesë herë kulmin e tyre në prill, OBSH tha se ka edhe arsye për pak optimizëm, përcjell Telegrafi.

“Pandemia sot nuk është pandemi dje – jo vetëm për sa i përket dinamikës së transmetimit të saj, por në mënyrat se si jemi pajisur tani për ta përballuar atë”, tha të enjten Dr Hans Kluge, drejtori rajonal i organizatës për Evropën.

Kapacitetet e rritura jashtëzakonisht të testimit do të thonë se ishte e pamundur të krahasoheshin shifrat e kësaj jave me ato të marsit dhe prillit, vuri në dukje Kluge, ndërsa transmetimi më i lartë mes njerëzve më të rinj, më pak të prekshëm, plus një aftësi të përmirësuar për të menaxhuar raste të rënda, do të thoshte shkalla e vdekshmërisë, ishte ende relativisht e ulët.

Evropa po regjistron dy deri në tre herë më shumë infeksione të reja ditore krahasuar me prillin, tha ai, por pesë herë më pak vdekje, transmeton Telegrafi.

Sipas modeleve të OBSH-së, masa mjaft të thjeshta – të tilla si veshja e maskës afër 100% dhe kufizimet e rrepta në tubimet shoqërore – mund të shpëtojnë deri në 281,000 jetë në të gjithë Evropën deri më 1 shkurt.

“Këto mund të jenë kohë pandemike. Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht kohë të errëta”, ka thënë Kluge.

Artikulli i mëparshëmFOTO/ Facebook i vë vulën: Edi Rama po shpërndan lajme të rreme
Artikulli i radhësDy metroshët e Partisë