Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK (Prokuroria e Posaçme) padinë për inceneratorët. Ish-deputetët Çlirim Gjata dhe Jorida Tabaku, janë paraqitur paraditën e sotme, pak orë pas lajmërimit të kreut të selisë blu, Lulzim Basha, për të dorëzuar padinë.
Siç shihet edhe në dokumentin e publikuar nga vetë Partia Demokratike, Gjata dhe Tabaku kanë dorëzuar padinë për kryeministrin Edi Rama, Kryebashkiakun Erion Veliaj, Arben Ahmetajn si ish-ministër të financave, Leftër Kokën, ish-ministrin e mjedisit, Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin.
Të lartpërmenduarit akuzohen nga Partia Demokratike për veprat penale: “grup të strukturuar kriminal”, “shpërdorim detyre”, “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Me anë të kësaj padie, PD-ja kërkon pezullimin e ushtrimit të detyrës publike për të akuzuarit.
“Përse SPAK ka heshtu për një vit e gjysmë dhe Prokuroria për tre vite rresht? Edhe ju vetë si gazetarëve, duhet t’i bëni këto pyetje. Bashkia e Tiranës dhe e gjithë qeveria kanë vënë në funksion të këtij inceneratori dhe kanë nxjerrë nga tregu kompanitë e riciklimi. Shteti i ka bërë të gjitha pagesat, ndërkohë që nga pala tjetër është bërë vetëm 20% e investimit. Kemi dokumente që e faktojnë këtë. E kemi trajtuar si grup të strukuturat kriminal, Lefter Kokën, Edi Rama, Arben Ahmetaj, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Ku shkojnë paratë, kush fshihet pas? SPAK mund të shkoje deri në QKR dhe të shikojë kur u krijua kompania që fitoi tenderin e inceneratorit. Pse duhet të presë SPAK apo kushto tjetër, pse duhet të presë një denoncim formal? Pse kur ndodh një vrasje apo një tjetër krim, nis direkt procedura, ndërsa në këtë rast organet heshtin?”- u shprehën Tabaku dhe Gjata para mediave.
Dokumenti:
Si ka nisur debati për inceneratorët?
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha lajmëroi sot se PD-ja do të dorëzonte në SPAK një padi për inceneratorin e Tiranës, por ky debat vijon prej kohësh. Pak javë më parë, Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndarë 400 milionë euro nga taksat e qytetarëve për ndërtimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve. Basha tha se qeveria është e kapur nga mafia e plehrave, dhe shkoi më tej duke thënë se do të shkarkohet kryebashkiakja e Durrësit që të firmosë Milva Ikonomi në vend të saj, shkresën që i hap rrugën “vjedhjes së parave”. Por kryeministri Edi Rama, ka një tjetër qëndrim për çështjen. Në reagime në rrjetet sociale dhe në daljet e tij publike, Rama tha se PD ka një marrëdhënie nostalgjie me plehrat, ndërsa e akuzoi Bashën se kur PD ishte në pushtet, mbetjet ishin “male krenarie”. Rama publikoi dhe një dokument sipas të cilit, Basha kishte planifikuar të jepte me konçensioni landfillin e Sharrës, në kohën që ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranë. Sipas Ramës, investimi prej 36 milionë eurosh do t’i shkonte më pas privatit dhe ishte i gabuar nga pikëpamja logjike. Këtë gjë Basha e kundërshtoi, teksa u shpreh se janë një grumbull gënjeshtrash të qeverisë. Basha kërkoi të dinte se kush fshihet pas inceneratorëve.