Koronavirusi mutant, që ka shkaktuar shqetësim në Danimarkë por edhe në mbarë Europën, është pikasur edhe më herët. Shkencëtarët thonë se e kanë pikasur këtë virus mutant në një fermë vizonësh në Holandë, raporton BBC.
Por ata thanë se virusi nuk kalonte te njeriu. Kurse Danimarka ka vendosur që të eliminojë të gjithë vizonët e saj. Bëhet fjalë për mbi 17 milionë kafshë.
Fillimisht ishin njerëzit që e kaluan virusin te këto kafshë në ferma. Më pas këto krijesa të vogla e kanë kaluar koronavirusin mutant te njeriu.
Ekziston frika se ky mutacion do të ndikojë te vaksina që po prodhohet kundër koronavirusit. Sipas BBC, shkak për këtë është bërë ndryshimi gjenetik që imponon ky mutacion te ajo pjesë e virusit që njihet si proteina thumb, e cila është e rëndësishme për imunitetit. Vaksinat dhe kurat e ndryshme kanë si shënjestër pikërisht këtë proteinë.
Sipas BBC, shkencëtarët janë të shqetësuar sepse Danimarka i ka publikuar shumë vonë të dhënat për këtë mutacion. James Wood nga Universiteti i Kembrixhit tha: “Mendoj se është zhgënjyese që këto të dhëna sapo kanë arritur”. Rastet e para të këtij mutacioni janë pikasur që në qershor në Danimarkë.
Është normale që viruset të ndryshojnë dhe të pësojnë mutacione, por ekspertët janë të shqetësuar kur viruset kalojnë mes njerëzve dhe kafshëve.
Pikëpyetja mbetet nëse këto ndryshime janë karakteristikë e këtij virusi. Pyetja më e madhe ngelet se sa do e ndikojë ky mutacion vaksinën.
Për momentin, shkencëtarët nuk e kanë një përgjigje.