Për vite, Shiva ndihmoi policinë të gjente kufoma në liqenin Hussain Sagar në qytetin jugor indian të Hyderabad. Dhe pastaj një ditë, ai ndaloi dikë para se të hidhej, duke shpëtuar një jetë për herë të parë.
Shiva, i cili përdor vetëm një emër, thotë se ishte rreth 10 vjeç kur u ndesh me një grup policësh që po ofronin të paguanin këdo që do të nxirrte një trup nga një pellg aty pranë.
Policia në Indi është e nën financuar dhe e trajnuar dobët. Shumë nuk dinë të notojnë dhe nuk u jepen fonde për të punësuar zhytës profesionistë. Kështu që nuk është e pazakontë që ata të mbështeten tek forma të tilla informale, madje edhe të rrezikshme.
Por kur Shiva doli vullnetar, thotë ai, ata u habitën. “Ata fillimisht refuzuan duke thënë se isha shumë i ri. Por unë i binda ata” kujton ai, cituar nga BBC.
Ai e bëri punën dhe u largua me 40 rupi, tani me vlerë rreth 0,54 dollarë por një shumë e mirë për të në atë kohë. Rasti ndodhi 20 vjet më parë. Ai tani është 30 vjeç dhe ende ndihmon policinë lokale.
Shiva jeton afër Hussain Sagar, një liqen i madh artificial në zemër të qytetit. Një vend i njohur turistik, liqeni përdoret gjithashtu gjatë festivalit Ganesha për zhytjen e idhujve të hyjnisë Hindu.
Statujat shpërbëhen nën ujë dhe Shiva nxjerr shufrat prej hekuri nga të cilat janë bërë për t’ua shitur ricikluesve.
Por liqeni është gjithashtu një vend ku shumë vijnë për të vdekur dhe Shiva shpesh ndihmon policinë të nxjerrë trupa nga uji. Ndonjëherë, ai gjithashtu i ndihmon ata të rimarrin trupat nga lumenjtë dhe liqenet e tjerë në qytet.
Shiva bën më shumë sesa nxjerrjen e trupave nga liqeni – ai shpesh i shpëton njerëzit para se të hidhen në ujë, dhe ndonjëherë edhe pas kësaj.
“Nuk e mbaj mend numrin e trupave që kam gjetur. Por kam shpëtuar 114 jetë”, tha ai për BBC.
Ai tani po trajnon gjithashtu gruan e tij për të notuar në mënyrë që ajo të ndihmojë në marrjen e trupave të grave.
Inspektori B Dhanalakshmi, i cili është postuar në stacionin e policisë pranë liqenit Hussain Sagar, pranon se Shiva ka qenë “një ndihmë e madhe” për ta.
“Nuk mund të konfirmoj sa njerëz ka shpëtuar gjatë viteve, por besoj se janë më shumë se 100”, i tha ajo BBC. Vetëvrasja është ende një krim në Indi dhe shumë njerëz që Shiva i shpëton ikin edhe para se të mund të telefonojë policinë.
Shiva thotë se ai kurrë nuk i ka njohur prindërit e tij dhe kaloi shumicën e fëmijërisë në rrugë, me qëndrime të shkurtra në jetimore. Në një moment – ai nuk mund të jetë i sigurt se sa vjeç ishte – filloi të jetonte me një grua dhe fëmijët e saj të cilët ishin gjithashtu të pastrehë. Ai u afrua me ta dhe ishte një nga djemtë që e mësoi atë si të notonte, një aftësi që ndryshoi rrjedhën e jetës së tij.
Unë kam humbur shumë miq gjatë viteve – nga varësitë, nga sëmundjet, nga uria, nga aksidentet,” thotë ai. Djali që e mësoi të notonte – “vëllai im Lakshman”, siç e quan – u mbyt aksidentalisht dhe një shok tjetër i ngushtë vdiq ndërsa përpiqej të shpëtonte dikë tjetër.
Ai thotë se pasi nuk i shpëtoi dot, po përpiqet ta kompensojë duke shpëtuar të tjerët.
Shpëtimi i jetës i sjell disa para shtesë – ndonjëherë njerëzit që ai i ndihmon e paguajnë në shenjë mirënjohjeje. Pasqyrimi në shtypin lokal e ka shndërruar në një njeri të famshëm dhe i ka sjellë role të vogla në filmat teluge. Por Shiva thotë se nuk e konsideron shpëtimin e jetës një punë.