Një bombol oksigjeni e përdorur nga një 72-vjeçar i cili trajtohej në kushte shtëpie për Covid-19 ka plasur mbrëmjen e të dielës, duke plagosur të moshuarin.
Ai është dërguar dhe ndodhet aktualisht në Spital për mjekim më të specializuar.
Ngjarja sipas burimeve të Syri Televizion ka ndodhur rreth orës 20:30 në një banesë pranë bulevardit “Bajram Curri”, në zonën e Brrylit, ku pas shpërthimit kanë shkuar edhe punonjës të zjarrfikëses dhe ato të Policisë.
Burime thanë se nga shpërthimi nuk pati të lënduar të tjerë, ndërsa dyshohet se familjarët duke u përpjekur të kurojnë të afërmin e tyre në kushte shtëpie, kanë marr një bombol oksigjeni.
Përdorimi i bombolave të oksigjenit në banesa për kurimin e Covid-19 duket se është bërë problem. Disa javë më parë edhe Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për shitjet e tyre online, pas kallëzimit të dy vëllezërve që kishin trajtuar babanë me oksigjen në kushte shtëpie, më pas ai kishte humbur jetën.