Dhoma e ulët e parlamentit rus, Duma- ka mbështetur një ligj që i jep presidentëve rusë dhe familjeve të tyre imunitet nga ndjekja penale kur të largohen nga detyra.
Sipas BBC, ky ligj ishte pjesë e amendimeve kushtetuese të miratuar me referendum në korrik. Mbështetësit e presidentit Vladimir Putin dominojnë të dy dhomat e parlamentit.
Mandati i katërt i Putin mbaron në vitin 2024, por amendimet e lejojnë të garojë edhe për dy mandate. Ai është 68 vjeç dhe nuk ka një pasues të qartë.
Nisma ligjore ka shkaktuar shumë debat në lidhje me të ardhmen politike të Putinit. Ai ka qenë në pushtet prej vitit 2000.
Kritiku i tij më i ashpër, Alexei Navalny shkroi: “Përse Putinit i duhet një ligj për imunitetin tani? A mundet që diktatorët të largohen me vullnetin e tyre të lirë?”.
Ndërkohë disa media kanë spekuluar se Putin vuan nga Parkinsoni dhe do të largohet nga detyra në janar.