Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë në fillim të muajit dhjetor kursin e përgatitësit atletik. Drejtuesi i këtij kursi do të jetë përgatitësi atletik i kombëtares shqiptare të futbollit, Luixhi Febrari.
Përmes një video-mesazhi këtë iniciativë të Federatës e ka përshëndetur dhe e ka vlerësuar së tepërmi edhe trajneri i njohur italian, Klaudio Ranieri, i cili aktualisht drejton Sampdorian, i cili ka shpjeguar posaçërisht rëndësinë e rolit të përgatitësi atletik për një skuadër futbolli në ditët e sotme dhe eksperiencën e tij me përgatitësit atletikë.
“Mora vesh që në dhjetor do të ketë një kurs për përgatitës atletikë në Shqipëri dhe doja të ndaja me u eksperiencën time. Në 7 vitet e mia të para si trajner kam punuar pa përgatitës atletik, sepse doja të kuptoja se si është të përgatisje fizikisht një skuadër futbolli. Këtë e kam bërë duke nisur që nga amatorët për të kaluar më pas në Serie C, Serie B, më pas në Serie A. Kam drejtuar për dy vjet Napolin pas epokës Maradona pa një përgatitës atletik dhe që nga viti 1993 kam pasur dëshirë të punoja si trajner i ndihmuar nga një përgatitës atletik.
Në ditët e sotme nuk ka më thjesht një përgatitës atletik, por më shumë se një. Për shembull, unë të Sampdoria kam tre përgatitës atletikë, ose më saktë 4 përgatitës atletikë, sepse njëri prej tyre merret vetëm me trajtimin e të dëmtuarve. Kur janë të dëmtuar e stërviten veçmas, bëjnë fizioterapi e më pas derisa kthehen në ekipin e parë duhet një hap i ndërmjetëm.
Ja përse duhet përgatitësi atletik i posaçëm për të garantuar këtë lojtar që ta rimarrë veten në mënyrë graduale derisa të jetë në dispozicion të skuadrës së parë. Tre të tjerët janë në dispozicionin tim dhe njëri për shembull merret me ushtrime të forcës e tjetri është i specializuar për një metodologji tjetër. Për këtë arsye përgatitësit atletikë janë shumë të rëndësishëm. Ju në Shqipëri po bëni gjëra shumë të bukura dhe dua t’ju bëj komplimentet e mia. Por jepni ndihmën tuaj në këtë drejtim sepse përgatitësit atletikë janë shumë të rëndësishëm. Mirupafshim të gjithëve”, – thotë Ranieri në mesazhin e tij.