Për individët që duan të marrin kredi, normat e interesi janë ulur ndjeshëm. Sipas statistikave të bankës së Shqipërisë, në muajin tetor norma e interesi për individë për hua për shtëpi në lekë ishte 3.41%, duke u luhatur në nivelet minimale rekord.
Edhe në euro kreditë për shtëpi janë më të ulëtat se asnjëherë. Sipas statistikave të BSH-së, nëse merr një hua hipotekare në euro, interesi vjetor është 2.76%.
Ndryshe nga kredia për shtëpi, që është më e lirë, overdtafti, apo paratë që të punësuarit tërheqin në bankë kur u mbaron rroga, është shtrenjtuar në tetor, duke arritur në 11.6% në lekë në tetor, nga 10.5% që ishte muajin e mëparshëm.
Tendenca ka qenë e kundërt për overdraft në euro, që ka një normë vjetore prej 6.5%, nga 7.3% në shtator.
Individët kanë shtuar interesin së fundmi për të blerë pasuri të paluajtshme, duke iu drejtuar bankës për kredi, duke shënuar një gjallërim pas tkurrjes së kërkesës në periudhën e karantinës.
Të dhënat e tjera të BSH-së bënë të ditur se në gusht, kredia e re për individët ishte në nivele të përafërta me një vit më parë, në vlerën e 5.1 miliardë lekëve. Edhe tek individët vërehet një tendencë e ngjashme, me rritje të kredisë për blerjen e banesave, ndërsa kredia konsumatore rezultoi sërish në rënie edhe për muajin gusht. Kredia e individëve për blerje banesash preku vlerën e 2.7 miliardë lekëve ose rreth 22 milionë eurove.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan të hënën se indeksi i çmimit të pasurve të paluajtshme u rrit me 4.9% në 6-mujorin e parë të këtij viti. Shifrat e kredisë së re duket se konfirmojnë një interes të lartë të bizneseve dhe individëve për të investuar në prona, pavarësisht krizës.
Edhe bankat kanë lehtësuar kushtet e kredisë për individët, ndryshe nga të bizneseve. Sipas Bankës së Shqipërisë, Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan në tremujorin e tretë të vitit 2020. Lehtësimi i standardeve u aplikua si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për ato në blerjen e banesave. Në tremujorin e fundit të vitit, bankat presin t’i lehtësojnë më tej standardet e kreditimit për individët, kryesisht në kreditë konsumatore.
Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan kryesisht nga treguesit e lidhur me perceptimin për rrezikun nga ana e bankave, të tilla si: rreziku më i ulët nga kolaterali; aftësia paguese e kredimarrësit; si edhe zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave. Po ashtu, bankat treguan një tolerancë disi më të lartë ndaj rrezikut për kreditë dhënë individëve këtë tremujor. Faktorët e tjerë u raportuan të pandryshuar nga një tremujor më parë.