Ambasada telefonon policinë: Shtetasja rumune po dhunohet në një hotel në Tiranë, na ka dërguar lokacionin

0
This image has an empty alt attribute; its file name is hotelll.jpg

“Ma përplasi kokën pas muri, më godiste pa pushim pasi u nxeh që kërkova të qëndronim në hotel dhe jo në shtëpi”.

Ky është rrëfimi i 31-vjeçares Gabriela C, nga Sinia dhe banuese në Itali.

E reja e njohu shqiptarin në Itali pothuajse një vit më parë dhe se si udhëtoi drejt Tiranës për të takuar të dashurin shqiptar me inicialet O.C. “U njohëm rastësisht në qytetin Monafalkone, unë punoja në një lokal si shoqëruese e klientëve.

U frekuentuam madje isha për vizitë edhe në shtëpinë e prindërve të tij që jetojnë në një provincë”, i thotë policisë rumunia që nga ana tjetër përshkruan se si gjeti në hotel një çift pas denoncimeve për zhurmë dhe për të bërtitura dhe se si menjëherë sapo ka konstatuar forcat e policisë e huaja ka kërkuar ndihmë.

O. C që dyshohet se e rrahu të dashurën u hetua për plagosjen e saj pas evidentimit të shenjave të dhunës në trupin e saj, ndërkohë që gjatë kryerjes së veprimeve hetimore janë pyetur edhe prindërit e tij që këmbëngulin se ishin kundër lidhjes duke qenë që i biri është i martuar dhe ka një familje.

“Dhuna nisi në Itali ku më qëllonte me shpulla në fytyrë ose më kapte për fyti . Kjo ndodhte për shkak të xhelozisë por ngaqë punonte mekanik ai merrej atje edhe me shpërndarje hashashi si dhe konsumonte drogë.

O.C e larguan nga Italia  në fund të 2019 dhe arsyeja ishte sepse u dënua për herë të tretë në atë shtet. Udhëtova drejt Tiranës për ta takuar dhe pas darkuam shkuam në shtëpi.

Aty nuk kishte asnjë person, por unë nuk doja të qëndroja në atë shtëpi pasi prindërit e O. nuk më donin”.

Rumunia i thotë policisë se pasi i dashuri nuk e bindi dot që të qëndronin në banesë janë zhvendosur në një hotel aty pranë.

“Kur shkuam atje, O. më qëlloi me shpulla, më tej më goditi në tualet duke ma përplasur kokën për muri. Ishte me nerva përse nuk qëndruam në shtëpi. Në momentet kur bërtita për ndihmë, ai më mbylli në banjë, ose ma zuri gojën që mos të belbëzoja fare”.

E reja në një çast ka menduar për zgjidhje dhe fshehtas ka telefonuar të vëllain që jeton në Suedi duke i treguar se ç’po ndodhte me të. Pikërisht rumunia është lidhur në mesnatë me ambasadën rumune në Tiranë që nga ana tjetër me urgjencë ka kërkuar ndërhyrjen e policisë tregojnë burime zyrtare të gazetës Si.

“Më mori në telefon një punonjës i ambasadës rumune, por nuk kisha mundësi t’i përgjigjesha pasi kisha frikë. Atëherë dërgova lokacionin fshehtas ku tregohej vendndodhja”.

Policia pohon për gazetën Si se referuar të dhënave për denoncimin nga ambasada të një rumuneje, e më pas edhe saktësimin e vendqëndrimit të saj, është mbërritur në hotel.

Është kërkuar këqyrja e regjistrit të hyrjeve dhe daljeve në hotel… nga ku është konfirmuar që në dhomën 103 gjendej shtetasi shqiptar O.C.

Policia konfirmon për gazetën Si se e reja veç frakturave në fytyrë kishte shenja skuqjeje në kokë, çka konfirmon versionin e 31-vjeçares rumune që të jetë përplasur në murin e tualetit.

I marrë në pyetje nga policia lidhjen mes dy të rinjve e konfirmon dhe i ati, i cili ishte larguar nga banesa ditën që ka mbërritur rumunia si shenjë mosmiratimi të historisë.

Burimet e gazetës Si tregojnë se i moshuari rrëfeu se si i biri e kishte njoftuar që 31-vjeçarja do mbërrinte në Tiranë dhe se si ai do bashkëjetonte me të.

“Nuk mund ta pranoja këtë gjë, djali është i martuar me një bullgare dhe ka një vajzë, kam qenë kundër lidhjes së fshehtë dhe veprimeve të tim biri. Ndaj sapo më tha ika nga shtëpia duke shkuar tek të afërmit”.

Grupi i hetimit shton për gazetën Si se ka pyetur punonjës të hotelit që këmbëngulin se nuk kishin dëgjuar asnjë zhurmë. I dyshuari për plagosjen me dashje të rumunes fillimisht ka pretenduar se vajza që u ankua për të ishte e fejuara dhe mes tyre kishte pasur një keqkuptim.

Por kur janë hapur letrat dhe është zbuluar se ai është i martuar i dyshuari flet për jetën e tij. “Ngaqë jam rritur në Itali nuk e di dallimin mes e fejuar dhe e dashur me zor i gjej fjalët, për këtë arsye tregova që jam I fejuar”, citohet të ketë thënë shtetasi O. C.

Por i riu sipas burimeve të gazetës Si do të dorëzohet në gjykatë edhe për një akuzë tjetër penale. “Pas arrestimit të tij gjykata vendosi masën e arrestit shtëpiak, por në fund të muajit qershor O. C. konstatohet nga shërbimet e policisë jashtë ambienteve të banesës në një lokal”, shkruajnë oficerët e policisë në dosjen e tij. Edhe për thyerjen e masës së arrestit i riu përfundon sërish në polici dhe sërish merret në pyetje.

“Babai u largua në Itali, rumunia u largua menjëherë pas denoncimit. Por para ca kohësh unë kam thyer këmbën në banesë dhe nuk ka kush të m’i blejë medikamentet ndaj dhe dola për t’i gjetur”, justifikohet i riu që sidoqoftë la pa përgjigje pyetjen se përse gjendej në lokal dhe jo në afërsi të një farmacie dhe se përse nuk njoftoi policinë për ndihmë.

Në përfundim të hetimeve burimet sqarojnë se i riu, pritet të dorëzohet si i akuzuar për largim nga vendi i vuajtjes së dënimit dhe plagosjen e të dashurës, denoncimi i të cilës është administruar si material kallëzues, duke ju bashkangjitur në atë kohë procesverbalit të kapjes në flagrancë.

Artikulli i mëparshëmKujdes me përdorimin e maskës së fytyrës, ky gabim (që e bëjnë pothuajse të gjithë) është fatal
Artikulli i radhësSkandal në Bruksel, festa e diplomatëve shndërrohet në orgji