Zgjedhjet/ Zëri i Amerikës: Kritika të forta të Venecias për mënyrën e ndryshimeve Kushtetuese në Shqipëri

0
Komisioni I Venecias Ok

Komisioni i Venecias shprehu kritika të forta ndaj shumicës për mënyrën se si u veprua me ndryshimet kushtetuese që prekin zgjedhjet, të miratuara në fund të muajit korrik nga parlamenti, ndërsa vlerëson se ato nuk mund të konsiderohen ndryshime thelbësore që cënojnë parimin e stabilitetit të ligjit zgjedhor.

Komisioni u vë në lëvizje pas një kërkese urgjente të presidentit Ilir Meta. Në draft opinionin, të cilin ekspertët e Venecias e kanë hartuar në bashkëpunim me ODIHR-in, të dyja institucionet shprehen “të keqardhura që procedura për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë si dhe të Ligjit Nr. 118 ishte jashtëzakonisht e nxituar. Një konsultim i gjerë ndërmjet aktorëve politikë dhe organizatave joqeveritare, duke siguruar afatet e duhura, duhet të kishte ndodhur para ndryshimit të këtyre dokumenteve themelore”, vë në dukje opinioni paraprak.

Sipas Komisionit dhe ODIHR-it “ndryshimet kushtetuese u bënë në kundërshtim me rregullat më themelore të procesit legjislativ demokratik, edhe nëse supozohet se objekti i ndryshimeve ishte diskutuar më parë me opozitën parlamentare”. Sipas variantit paraprak “demokracia e qeverisur nga shteti i ligjit, nuk ka të bëjë vetëm me respektimin formal të procedurave që lejojnë shumicën të qeverisë, por gjithashtu me diskutimin dhe me një shkëmbim kuptimplotë të pikëpamjeve midis shumicës dhe opozitës”.

Komisioni nënvizon se ka vlerësuar përputhjen e ndryshimeve më standartet ndërkombëtare dhe jor kushtetuetshmërinë e tyre, pasi “kjo duhet të jetë detyra e Gjykatës Kushtetuese sapo të bëhet përsëri funksionale”. Ndonëse shpjegon se “situata e pakëndshme në lidhje me Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të çojë në ndalimin e plotë të çdo aktiviteti legjislativ”, në opinionin paraprak theksohet se “në mungesë të një Gjykate Kushtetuese, të gjitha autoritetet duhet të sigurojnë, në një mënyrë shumë të kujdesshme, pajtueshmërinë me Kushtetutën, të procedurës që ndjekin, si dhe të teksteve që ata propozojnë për miratim dhe që eventualisht miratojnë”.

Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i, vërejnë se “ndryshimet legjislative në lidhje me institucionet kryesore shoqërore dhe politike, të tilla si ligjet zgjedhore, duhet të bëhen pas një procesi gjithëpërfshirës që përfshin publikun e gjerë. Kjo vlen akoma më shumë për ndryshimet kushtetuese, të cilt nuk duhen bërë me nxitim, por “vetëm pas diskutimeve publike të gjera, të hapura dhe të lira “, duke përfshirë “forca të ndryshme politike, organizata joqeveritare dhe shoqata të qytetarëve, botën akademike dhe mediat”, si dhe duke parashikuar “ afate të përshtatshme”. Procedura zyrtare në Parlament ishte jashtëzakonisht e shkurtër (rreth një javë), dhe i tërë procesi nga prezantimi i nismës deri në miratimin e saj zgjati vetëm një muaj. Nuk ka standarde ndërkombëtare për sa kohë duhet të zgjasë procedura në Parlament, por ajo duhet të garantojë një diskutim publik në thelb të ndryshimeve”. Komisioni madje vëren se “ndryshimet hynë në fuqi pasi Presidenti kishte shpallur datën e zgjedhjeve, domethënë pas hapjes së procesit zgjedhor”.

Ndryshimet kushtetuese prekën ndër të tjera formulën e koalicioneve, pragun zgjedhor si dhe shmangën listat e mbyllur duke ofruar një formulë të komplikuar për lista të hapura. Ndërsa kujton se stabiliteti i ligjit zgjedhor, është thelbësor për të garantuar besimin në procesin zgjedhor, komisioni analizon dhe ndërhyrjet e bëra.

“Ndërsa amendamentet kushtetuese ndryshuan rregullat për caktimin e zonave elektorale, ato nuk u prekën me Kodin zgjedhor. Stabiliteti i ligjit zgjedhor nuk është vënë në diskutim në këtë fushë. Komisioni i Venecias dhe ODIHR rekomandojnë fuqimisht që të mos ndryshohet caktimi i kufijve të zonave elektorale para zgjedhjeve të ardhshme, sepse kjo do të ishte në shkelje të qartë të parimit të stabilitetit të ligjit zgjedhor”, vë në dukje opinioni paraprak.

Sa i përket futjes së listave pjesërisht të hapura, sipas Komisionit dhe ODIHR-i “është e vështirë të parashikosh efektin” e tyre. Ndërsa efektet e saj duhet të vlerësohen, duket se kjo risi nuk duhet të konsiderohet si një ndryshim thelbësor”. Të njejtin vlerësim Komisioni jep dhe për ndryshimin e pragut, dhe vendosjen e një niveli 1 përqind në nivel kombëtar.

Për Komisionin e Venecias, shmangia e koalicioneve në formën sipas së cilës kishin funksionuar më parë “mund të duket si themelor. Nuk ka gjasa që kjo të çojë në ndryshime, në caktimin e një numri të madh mandatesh. Sidoqoftë, në një garë të ngushtë elektorale, ndryshime të tilla mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës së vendeve në Parlament”. Në vlerësimin e ekspertëve të Komisionit dhe ODIHR-it “është e dyshimtë që ndryshimet në rregullat për koalicionet siç parashikohen në versionin e mëparshëm të Kodit mund të konsiderohen si një ndryshim thelbësor”.

Opinioni i jep përgjigje gjithashtu pikëpyetjeve të ngritura mbi legjimitetin e parlamentit për të ndërmarrë ndërhyrje të tilla, duke qenë se ai nuk funksionon me numrin e plotë të deputetëve, për shkak të braktisjes së mandateve nga opozita. “Komisioni i Venecias dhe ODIHR janë të mendimit se fakti që parlamenti nuk është i përbërë nga numri i plotë i anëtarëve, nuk është në vetvete problematike, sa i përket standarteve ndërkombëtare, duke qenë se vepron në linjë me kuorumin e përcaktuar nga Kushtetuta”.

Në opinionin paraprak, jepen një sërë rekomandimesh që duhen mbajtur parasysh përpara se të zhvillohen zgjedhjet, por dhe për periudhën e mëpasshme./VOA/

Artikulli i mëparshëm“Shqipëria investon më pak se askush për kujdesin shëndetësor”, Basha: Edi Rama e la në baltë Shqipërinë. Boll më!
Artikulli i radhësPërmetit “ia vënë syrin” sheikët, marrëveshja me Emiratet edhe për projekte të tjera