Më 13 nëntor 2020, Peter Sutcliffe vdiq spitalin e North Durham, pasi refuzoi trajtimin për COVID-19. I njohur si Yorkshire Ripper, Sutcliffe u dënua për vrasjen e 13 grave dhe vrasjen në tentativë të shtatë të tjerëve mes viteve 1975-1980. Në asnjë moment Sutcliffe nuk u tregua i penduar për atë që kishte bërë
Çfarë e bëri Sutcliffe dhe të tjerët si ai njerëzit që u bënë? Ted Bundy numëronte 30 vrasje, Pedro Rodrigues Filho, 70 dhe Luis Garavito, 138 vrasje të fëmijëve në rrugë.
A ishin ata vrasës të lindur apo diçka i ndryshoi gjatë rrugës dhe i bëri të tillë?
Neuroshkencëtari Jim Fallon ka disa dyshime. Ai mendonte se vrasësit psikopatë lindnin të tilë dhe besonte se kishte filluar të gjente prova për këtë.
“Nuk isha unë, ishte truri im”, shprehen disa nga vrasësit. Pas një shqyrtimi të trurit të disa vrasësve nëpërmjet skanerit, Fallon arriti të shihte një model.
Për të provuar idetë e tij në mënyrë objektive, ai ngriti një gjyq të verbër. Kolegët i dërguan 70 skanime të trurit: Disa ishin të njerëzve me një diagnozë, të tillë si skizofreni ose depresion, disa ishin nga njerëz pa diagnozë dhe disa ishin nga vrasës të dënuar.
Fallon identifikoi me sukses të gjithë “trutë vrasës”. “Ata të gjithë kishin një të përbashkët”, thotë Fallon. “Një humbje të funksionit në korteksin orbital, mbi sytë, i cili është qarku që “përkthen” etikën, moralin, ndërgjegjen dhe kur kjo është zhdukur, ose nuk zhvillohet, personi nuk ka një sens morali dhe ka pak kontroll mbi impulset e tij.
Sidoqoftë, Jim Fallon u gjend pranë një surprize të pakëndshme.
Ai kishte organizuar skanime të trurit për dhjetë anëtarë të familjes së tij si kontrolle për një projekt që ai po kryente për cenueshmërinë ndaj sëmundjes Alzheimer. Duke parë këto skanime një pasdite tetori, ai u trondit kur pa një që dukej tamam si “truri më i keq i një vrasësi serial”.
Më pas, zbuloi se po shikonte një skanim të trurit të tij. “Po studioja vrasësit serialë dhe zbulova se kam një tru që duket si i tillë.”
Fallon gjithashtu kishte ekzaminuar ADN-në e familjes së tij, si pjesë e projektit të Alzheimerit. Kur i kontrolloi, gjeti kombinime normale dhe të ekuilibruara. Përveç njërit.
“Njëri prej ekzaminimeve kishte gjithë këta elementë me rrezik të lartë për dhunë. Dhe natyrisht, doli që isha unë përsëri. Tani u bë pak më serioze, sepse doli që kisha dhe trurin dhe gjenetikën në përputhje me ato të një vrasësi.”
Nëse hulumtimi i Fallon ishte i drejtë, dhe ai ishte i sigurt se ishte, atëherë si ndodhi që ai nuk ishte një vrasës, një Peter Sutcliffe, një Ted Bundy, apo një Luis Garavito?
Ai sugjeroi që ndërsa anomalia e trurit dhe gjenet e lidhura me agresionin dhe dhunën ishin shkaqe të domosdoshme të agresionit psikopatik, ato nuk ishin të mjaftueshme. Duhej të kishte diçka tjetër. Dhe për Fallon, kjo “diçka tjetër” mund të vinte nga fëmijëria.
Fallon beson se fëmijëria e tij e lumtur dhe e sigurt mund ta ketë mbrojtur atë.
Ndoshta neuroshkenca nuk i kishte të gjitha përgjigjet në fund të fundit?
“Për të gjithë kolegët e mi unë isha si z. Gjenetika”, thotë Fallon. “Unë gjithnjë thoja se gjenetika kontrollon gjithçka dhe aty janë gjithë përgjigjet, por e pranoj se e kam patur gabim. Prandaj duhej të studioja më shumë.”
Kështu ai erdhi tek: “Unholy Trinity” – Treshja jo e shenjtë!
Për Fallon, ekzistojnë tre përbërës të nevojshëm që, kur bashkohen, mund të prodhojnë vrasës psikopatë.
E para është një humbje e funksionit në korteksin orbital, e cila mund t’i lërë njerëzit të paaftë për vendimmarrje etike dhe gjithashtu i bën ata më pak të aftë për të kontrolluar impulset e tyre.
E dyta janë gjenet trashëguese, siç është gjeni MAOA, që predispozon një person ndaj agresionit dhe dhunës.
Dhe e treta, të kesh një fëmijëri pa dashuri, afeksion dhe kujdes që nuk arrin të mbrojë njerëzit nga psikopatologjia e tyre e fshehtë. Peter Sutcliffe, Ted Bundy, Pedro Rodrigues Filho dhe Luis Garavito të gjithë kishin fëmijëri të trazuar ose abuzive.
Ne filluam duke pyetur nëse vërtet ka vrasës të lindur. Epo, duket se përgjigjja është po dhe jo. Më mirë të themi se ka vrasës të mundshëm potencialë të lindur.
Nëse ai potencial i tmerrshëm realizohet, kjo varet nga ndikimet mjedisore dhe, në veçanti, dashuria e dhënë, apo e mohuar, në fëmijërinë e hershme.