Sot hidhet shorti/ Shqipëria dhe Europa do të njohin kundërshtarët e eliminatoreve të Botërorit

0
Sot hidhet shorti/ Shqipëria dhe Europa do të njohin kundërshtarët e eliminatoreve të Botërorit

Ditën e sotme përfaqësuesja e Shqipërisë dhe 54 federatat e tjera të kontinentit europian do të mësojnë kundërshtarët në eliminatoret për Kampionatin Botëror Qatar 2022.

Nëse ky udhëtim (eliminatoret) ka nisur prej kohësh në Afrikë, Azi dhe Amerikë të Jugut, Europa do të nisë të duelojë për të qenë prezent në Katar, me ndeshjet e para që janë në program më datë 24 mars 2021 dhe do të përfundojnë më 29 mars 2022.

Kontinenti i vjetër do të dërgojë në gadishullin Arabik 13 përfaqësuese, të cilat do të dalin nga 10 grupet që do të kompletohen dhe do të zbardhen pasditen e sotme (7 dhjetor 2020), në orën 18:00, në zyrat e FIFA-s në Zyrih.

SI FUNKSIONON SHORTI

Rregullorja e shortit që do të hidhet pasditen e sotme, për eliminatoret e “Katar 2022”, i aprovuar nga Këshilli Ekzekutiv i UEFA-s më 18 qershor 2020, nënvizon se 55 kombëtaret europiane do të ndahen në 6 vazo të ndryshme, sipas renditjes botërore të FIFA-s, të muajit nëntor 2020.

Pesë vazot e para përmbajnë nga 10 përfaqësuese të ndryshme europiane, ndërsa vazo e gjashtë 5 ekipe. Shqipëria, e cila pret ashtu si pjesa tjetër e kombëtareve të kontinentit të vjetër të njohë rivalet e saj, është e pozicionuar në vazon e katërt, së bashku me Bosnjën, Slloveninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë, Izraelin, Bjellorusinë, Gjeorgjinë dhe Luksemburgun. Kuqezinjtë e Rejas rrezikojnë grupe ferri, por edhe sfida epike, duke parë edhe të kaluarën, si ajo me Serbinë.

55 kombëtaret do të ndahen në 10 grupe, nga të cilat 5 grupe do të kenë në përbërje të tyre 5 skuadra, ndërsa 5 grupe të tjera do të kenë në përbërje 6 skuadra, shkruan panorama sport. E sigurt deri tani është që 4 finalistet e Ligës së Kombeve, Italia, Spanja, Belgjika dhe Franca do të jenë pjesë e grupeve me nga 5 skuadra, duke marrë parasysh se këto 4 kombëtare do të ndeshen mes tyre tetorin e ardhshëm (gjysmëfinalet janë Itali-Spanjë e FrancëBelgjikë), për trofeun e Ligës së Kombeve, i cili do të zhvillohet në dy qytetet italiane, Milano e Torino. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka aprovuar gjithashtu edhe disa limite që nuk mund të kalohen, si për shembull ato që lidhen me motive politike; motive klimaterike, por edhe ato që lidhen me distancat e udhëtimeve shumë të largëta.

KUSH KUALIFIKOHET

Europa do të dërgojë në Botërorin e vitit 2022 në Katar 13 kombëtare. 10 prej tyre do të kualifikohen direkt, ose e thënë ndryshe fitueset e secilës prej 10 grupeve që do të zbardhen sot. 3 vendet e mbetura do të dalin nga 10 kombëtaret e kualifikuara të të dytat më të mira të të gjithave grupeve, plus 2 kombëtaret me pikët më të shumta që do të kenë dalë fituese nga Liga e Europës dhe që nuk kanë pasur mundësi të kualifikohen direkt, nëpërmjet eliminatoreve.

Gjithsesi, ndryshimi i vetëm për të arritur një biletë nga 3 të mundshmet për në “Katar 2022” nga 10 të dytat më të mira të eliminatoreve dhe 2 më të mirat e Ligës së Europës, këto 12 ekipe do të ndeshen mes tyre në muajin mars 2022, në formulën “gjysmëfinale-finale”.

Artikulli i mëparshëmFOTOLAJM/ Qese me ushqime për të shtruarit në spital me Covid-19
Artikulli i radhësKushtetuesja/ Kim: Procesi duhet respektuar, por jo abuzuar