Cristiano Ronaldo është përshëndetur nga qindra tifozë pas mbërritjes në Barcelonë, të cilët ishin mbledhur pranë hotelit të ekipit të Juventusit.
Sot në orën 21:00 Juventusi do të luajë në “Camp Nou” përballë Barcelonës në ndeshjen e vlefshme për javën e fundit të fazës së grupeve në Champions League.
Megjithëse masat për mbrojtje nga COVID-19 në Barcelonë janë mjaft të forta, qindra përkrahës ishin mbledhur për ta mirëpritur portugezin në Katalonjë. Tifozët e mbledhur brohoritën thirrjen e famshme të Ronaldos: “Siuuuuuuuu”, e cila ndodh në stadiume gjithmonë kur shënon CR7-ta.
Duke qenë se të dy skuadrat janë kualifikuar tashmë në rundin e 16 më të mirëve, e gjithë vëmendja është në duelin Ronaldo vs Messi.
Kjo është hera e parë që Messi dhe Ronaldo do të takohen që prej vitit 2018, kur portugezi iu bashkua Juves nga Real Madridi.