Me kualifikimin të siguruar, trajneri Stefano Pioli pritet të lërë pushim thuajse të gjithë titullarët e Milanit, në ndeshjen e nesërme ndaj Spartës së Pragës, që është njëkohësisht edhe fundit në grup për kuqezinjtë.
Në konferencën për shtyp të ditës së sotme, trajneri refuzoi t’i kategorizojë lojtarët në titullarë dhe rezerva, por pranoi se nesër në fushë do të luajnë ata që janë aktivizuar më pak gjatë kësaj kohe.
“Nuk më pëlqen të flas për titullarë dhe rezerva, pasi të gjithë futbollistët që kam në dispozicion, janë pjesë e projektit dhe lojës së skuadrës. Më pas sigurisht disa kanë luajtur më shumë e të tjerë më pak, ndaj nesër do të jetë radha e këtyre të fundit që të marrin më shumë minuta”, u shpreh Pioli.
Më pas trajneri i Milanit ka folur edhe për gjendjen e futbollistëve të veçantë, teksa pranoi se Ibrahimovic dhe Leao kanë lënë pas dëmtimin, ndërsa u shpreh mjaft I kënaqur edhe me rritjen e Sandro Tonalit.
“Leao është rikuperuar dhe ka ardhur me skuadrën, pasi dua t’i jap disa minuta nesër. Vjen pas 3 javësh pushim dhe nuk mund të luajë menjëherë 90 minuta, ndaj dua ta përfshij gradualisht. Edhe Ibra është mirë dhe është stërvitur me ekipin, por besoj se në fundjavë do ta kemi në dispozicion. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Bennacer, ndërsa dua të vlerësoj rritjen e vazhdueshme të Tonalit, por edhe të Gabbias, që është shndërruar në titullar fiks tashmë”, tha trajneri i Milanit.