
Presidenti Ilir Meta ka reaguar ashpër pas protestës së zhvilluar ditën e sotme, ku u shoqërua me dhunë kryeredaktori i Koha Jonë, Qamil Xhani.
Meta i bën thirrje publike dhe nxit Prokurorinë të reagojë menjëherë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore, pa më të voglën zvarritje, frymëzuesit dhe autorët e dhunës ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias.
Meta po ashtu i bën ftesë të gjitha organizatat ndërkombëtare të gazetarëve të reagojnë në mbrojtje të kolegëve të tyre në Shqipëri.
Postimi i plotë: Dënoj me forcë përsëritjen e rasteve të dhunës së shëmtuar dhe të dënueshme, të ushtruar ndaj gazetarëve, nga ana e efektivëve të caktuar të Policisë së Shtetit.
Dhunimi i kryeredaktorit të “Koha Jonë”, z.Qamil Xhani, pranë ambienteve të redaksisë dhe ndalimi i tij për disa orë, është tregues se dhuna ndaj përfaqësuesve të medias dhe shoqërisë civile është e frymëzuar dhe e organizuar në nivelet më të larta të Qeverisë dhe Policisë.
Përsëris thirrjen publike dhe e nxis Prokurorinë të reagojë menjëherë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore, pa më të voglën zvarritje, frymëzuesit dhe autorët e dhunës ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias.
I ftoj të gjitha organizatat ndërkombëtare të gazetarëve të reagojnë në mbrojtje të kolegëve të tyre në Shqipëri.
I garantoj të gjithë gazetarët e lirë dhe të pavarur se, NUK DO TË LEJOJ KURRË INSTALIMIN E MODELIT LUKASHENKO NË SHQIPËRI