Rivali i Putin: Unë e di kush donte të më vriste

0

Aleksej Navalny u helmua nga agjentët e shërbimit sekret rus të brendshëm FSB si pjesë e një operacioni kompleks – të paktën kjo del në pah nga puna investigative e disa mediave. Të paktën tetë punonjës të FSB-së janë identifikuar, raporton revista gjermane “Der Spiegel”, e cila hulumtoi së bashku me platformat investigative “Bellingcat” dhe “The Insider” si dhe transmetuesin amerikan të lajmeve CNN.

Të identifikuarit janë gjashtë agjentë ekzekutues dhe dy të dyshuar si drejtues ekzekutivë. Edhe Navalny i shpërndau njoftimet: “Unë e di kush donte të më vriste,” tha ai dhe publikoi edhe fotografi të tetë burrave.

Vlerësimi i lidhjeve të telefonave celularë, GPS dhe të dhënat e vendndodhjes, si dhe analizat e shumë listave të të pasagjerëve të linjave ruse të fluturimeve bëjnë të mundur të kuptohet se kritiku i Kremlinit ka qenë në qendër të vëmendjes së ekipit të FSB që nga viti 2017, sipas “Der Spiegel”. Sipas kësaj, agjentët e FSB kishin fluturuar ë shumë se 30 herë paraprakisht në destinacionet e udhëtimit të Navalny-t, dhe menjëherë pas tij janë kthyer në Moskë.

Agjentët e shërbimit sekret me “histori të mëparshme”

Dy drejtuesit e dyshuar thuhet se u përkasin dy njësive të FSB-së që tashmë janë vënë në lidhje me helmimet edhe në të kaluarën: “Instituti për Kriminologji” dhe “Qendra për Teknikat e Veçanta” mbi të. Sipas investigimit, njëri nga dy drejtuesit komunikonte rregullisht me laboratorë kimikë të lidhur me programin Noviçok të Rusisë. Të gjithë tetë të identifikuarit ose kishin punuar paraprakisht në sektorë mjekësore ose kimikë ose kishin punuar për forcat speciale ruse, thuhet.

Navalny pësoi kolaps më 20 gusht në një fluturim nga Tomsku në Siberi për në Moskë. Dy ditë më vonë, 44-vjeçari – ende në koma – u soll për mjekim në Spitalin Universitar Charité në Berlin. Sipas tre laboratorëve evropianë, rezultatet e të cilave janë konfirmuar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), Navalny u helmua me një agjent nervor të zhvilluar në Bashkimin Sovjetik nga grupi Noviçok. Ai është ende në Gjermani për një kurë shërimi. Pas shërimit ai dëshiron të kthehet në Rusi.

Kremlini mohon çdo përfshirje në këtë çështje. Të gjitha rezervat shtetërore të Noviçokut janë shkatërruar, por receta ishte e njohur prej kohësh edhe në Perëndim, është bërë e ditur. Kreu i shtetit, Vladimir Putin kishte njoftuar jo më larg se e enjtja se nuk shihte ende parakushte për hetime në Rusi. Moska dëshiron të hetojë vetëm kur ka prova për një krim. Deri tani, asnjë e tillë nuk është dorëzuar. “Edhe kur pothuajse vdes dikush, kjo nuk do të thotë se gjithmonë duhet të hapet një çështje penale,” tha Putin./ DW

Artikulli i mëparshëmWanda Nara e pëson keq nga humoristja: “Nëse poston një foto, dikush ka të drejtë ta komentojë”
Artikulli i radhësU përfol se do të zëvendësonte Sandër Lleshajn / Reagon për herë të parë Elisa Spiropali