Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i kërkon Ministrisë së Drejtësisë që të bëhet ekstradimi në Shqipëri i Plaurent Dervishajt, i akuzaur për vrasjen e Klodian Saliut në vitin 2005.
SPAK kërkon që autoritetet shqiptare të drejtësisë t’iu drejtohen me kërkesë ekstradimi autoriteteve në Emiratet e Bashkuara, në mënyrë që Dervishaj të sillet në Shqipëri. Ky i fundit akuzohet se më datë 26.02.2005, ka marrë pjesë në atentatin me armë zjarri, ku është qëlluar për vdekje shtetasi Klodian Saliu, si dhe është plagosur shtetasi O. Truma, i cili ndodhej nën shoqërinë e viktimës.
Arrestimi i Dervishajt është bërë tre ditë më parë, nga Interpol ABU DHABI (Emiratet e Bashkuara Arabe), pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga ana e ZQK Interpol Tiranës, mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit ‘’Arrest në burg’’ për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”.