Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar sot me disa studentë ku ka dëgjuar nga afër problemet që ata hasin gjatë viteve të shkollimit, ku disa prej tyre të diktuar nga pamundësi ekonomike ndërpresin studimet për të siguruar të ardhura.
Në një postim në facebook, Basha shkruan se me 25 prill shqiptarët do të çlirojmë vendin nga pengmarrja, duke risjellë ndryshimin, duke shtuar se instrumenti më i mirë që kemi për të sjellë ndryshimin është politika në shërbim të njerëzve dhe motori i këtij ndryshimi është rinia.
“Ne do të mbulojmë 100% tarifat e studimit për studentët nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë dhe 50% të tarifës për ata nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë. Ne do të mundësojmë 10 mijë praktika pune të paguara për një vit. Ne do të bëjmë gjithçka përmes arsimit profesional, apo bashkëpunimit me sipërmarrës që të rinjtë që nuk kryejnë studimet e larta të marrin një profesion. Ne do të vendosim taksën e sheshtë 9% dhe do të përmirësojmë klimën e investimeve në mënyrë që Shqipërinë ta shndërrojmë në vendin më tërheqës për investimet e huaja në Ballkan, kjo do të sjellë hapjen e mijëra vendeve të reja pune me paga të larta.
Do të stimulojmë dhe mbështesim sipërmarrjen e të rinjve dhe bizneset që hapin vende pune për të rinjtë”, deklaron Basha.