Sa do të zgjasë Covid? Tritan Kalo: Në javën e dytë dhe të tretë të janarit mund të ketë një rritje të rasteve

0

Sipas mjekut Tritan Kalo pritet që pandemia e shkaktuar nga Covid të zgjasë deri në 2 vite. Mjeku i njohur deklaroi gjatë një interviste në Faxnews se në javën e tretë të Janarit pritet që të kemi një shtim të rasteve me Covid, duke qenë se në periudhat e festave janë shtuar më shumë kontaktet mes qytetarëve.

“Unë kam rret 40 vite që punoj në spital, dhe kam përjetuar shumë epidemi, por jo pandemi të kësaj shkalle. Është një pandemi e cila na zbulon shumë enigma me të cilat ne nuk jemi ndeshur më parë. Mjekët infeksionistë ndeshen me frikën dhe me rrezikun e infektimit në çdo sekondë të punës së tyre, frika është pak relative, pasi ne jemi ndeshur me shumë sëmundje të tjera. Jemi bërë shumë këmbëngulës në punën tonë, pasi kishim të bënim me një sëmundje të panjohur.

E rëndësishme është që në këtë periudhë ne kemi një ulje të rasteve dhe të shtrimeve në spital, por kjo është relative, pasi për shkak të shtimit të kontakteve, mund të ketë një rritje të rasteve sërish në javën e dytë dhe të tretë të Janarit. Vaksinimi do të bëjë që të ketë një këputje të zinxhirit të infektimeve, për shkak se ata që marrin dozat krijojnë imunitet.

Po të nisemi nga gripi spanjoll, pandemitë e kësaj natyre zgjasin nga 18 deri në 24 muaj, infeksioni nga sars cov mund të zgjasë përjetë, por mund të ketë shfaqje të tyre në vatra të vogla. Unë i përmbahem, principit të 18-24 muajve”, u shpreh Kalo.

Sa i takon studimit të Akademisë së Shkencave se 50% e qytetarëve në Tiranë e kanë kaluar Covidin, Kalo tha se të arrish në përfundime të sakta, duhet të ketë një kampion më të madh studimi.

“Është një studim që hap rrugën për studime të tjera, duhej që në popullsinë që kishte Tirana të kishte një kampion prej 5 mijë qytetarësh të shtrirë në të gjithë vendin”, tha Kalo, ndërsa për vaksinën tha se ajo do të stimulojë imunitetin e popullatës.

Artikulli i mëparshëmSTUDIMI: Tregtia e bananes, sojës dhe shafranit të Indisë ka lulëzuar që në epokën e bronzit
Artikulli i radhësÇfarë do të ndodhë në vitin 2021? Ja parashikimet e analistëve të “Financial Times”